×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Ekstradimi i 33-vjeçarit në ShBA, Haxhiu: Dëshmi se Kosova është vend ku krimi nuk gjenë strehim

    Reporteri
    14 Maj 2025 | 10:26

    Miistrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ekstradimit të 33-vjeçarit nga Kosova, Liridon Masurica, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën dyshimin për krime online.

    Haxhiu ka thënë se kjo është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis, shkruan Reporteri.net.

    “Ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, ka shkruar Haxhiu.

    I njohur edhe si “@blackdb”, Masurica akuzohet për komplot për të kryer mashtrim me pajisjet e aksesit dhe pesë akuza thelbësore për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të aksesit të paautorizuar. Nëse dënohet për të gjitha akuzat, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh në burg federal, bëhet e ditur në njoftim.

    Masurica, u arrestua nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe u ekstradua më 9 maj në Shtetet e Bashkuara në përputhje me traktatin e ekstradimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.

    Ai doli para gjykatës federale në Tampa më 12 maj 2025 dhe u urdhërua të mbahet në paraburgim në pritje të gjyqit.

    Sipas aktakuzës, Masurica ishte administratori kryesor i BlackDB.cc – një treg kriminal online në veprim nga viti 2018 deri më sot. BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e kompromentuara të llogarisë dhe serverit, informacione të kartës së kreditit dhe informacione të tjera personale të identifikueshme të individëve të vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata të vendosur brenda Qarkut të Mesëm të Floridës.

    Ky hetim u drejtua nga FBI në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik të Policisë së Kosovës. /Reporteri.net/

    Dyshohet për krime online, 33-vjeçari nga Kosova i ekstraduar në SHBA mund të përballet me 55 vjet burg

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!