×
  • Lajme
  • Lajme

    EULEX: Mandati ynë është i garantuar me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare

    Reporteri
    02 Korrik 2020 | 23:28

    Një ditë pasi u bë publik një qëndrim i Presidencës ku thuhej se mandati i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka përfunduar, ky mision ka thënë se mandati i tyre është i garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.


    Në një përgjigje për Euronews Albania, EULEX thekson se qëndrimi dhe funksionimi i tyre në Kosovë është i garantuar.

    “Lidhur me pyetjet tuaj për mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ju lutem vini re që prezenca dhe operimi i EULEX-it vazhdon të jetë i garantuar sipas ligjeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë vendimet e Këshillit Evropian”, thuhet në përgjigje.

    EULEX shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, duke rikujtuar se Kosova, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ka marrë obligime për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit.

    “Ne duam të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë e Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët për forcimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit. Kosova ka marrë obligime me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, specifikisht Nenin 5 dhe Nenin 13, që të punojë së bashku me Bashkimin Evropian, përfshirë EULEX-in, në forcimin e institucioneve të saja për sundimin e ligjit. Ne kemi pasur partneritet të fortë që nga viti 2008 dhe mbështetja dhe asistenca jonë për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit vazhdon”, thekson EULEX.

    Ndërkohë, ky mision ka mohuar të ketë arrestuar apo dërguar në Hagë, Adem Zogjanin, familja e të cilit pretendon se EULEX e ka marrë atë dhe dërguar në Holandë.

    “EULEX nuk ka arrestuar personin të cilit ju i referoheni në e-mail. Ky informacion nuk është i vërtetë. EULEX nuk ka njohuri për vendndodhjen e këtij individi. Ju lutem kontaktoni autoritetet kosovare”, përgjigjet misioni i BE për Sundim të Ligjit në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!