Një familjeje nga Prishtina, po i rrezikohet jeta shkaku i punimeve të papërfunduara në rrugën që njihet si pjesa te kolektori. Kjo familje përballet çdo ditë me rrezik nga një urë e modifuar aty, qentë endacakë, vërshimet e brejtësit e shumtë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka vizituar para disa dite këtë rrugë, teksa ka premtuar se do të përfundojë së ndërtuari, por deri tani s’është bërë asgjë. Problemet për këtë familje po vazhdojnë.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka vizituar këtë familje, ku i kanë treguar për hallet me të cilat po përballen. Lumturije Gjoshi ka treguar se është sulmuar edhe nga qentë endacakë, të cilët u sillen në oborr, meqë shkaku i punimeve nuk kanë mundur ta rrethojnë oborrin.
“Si familje, këtu nuk jemi aspak të qetë. Krejt kohën jemi me stres edhe të rrezikum me jetë. Sikur me kolektorin që ka fillu qe sa, me rrymën. Nuk guxojmë me dalë prej shpisë prej qenve endacakë…Vec qasaj jetë nuk i thuhet. Këtu jetë nuk i thuhet më. Gjithçka e ka kalu limitin. Qe 26 vjet është ky kolektor i hapur. ….është e kotë me këta”, ka rrëfyer ajo. Probleme kanë edhe me brejtësit.
“Mua mu ka rreziku jeta. M’i kanë hongër kabllat e makinës, kur kam hyp aty vec sa s;më ka ekspodu makina prej brejtësve këtu. Mu ka mërzit jeta tu jetu qitu. Ai e trajton qenin, e qeni vjen më më hongër mu këtu”, ka deklaruar ajo.
Edhe një banor tjetër, ka pasur ankesa të njëjta, teksa ka drejtuar akuza ndaj Ramës.
“Na mytën minjtë. S’di çka është tu ba ky njeri, vec fillon punën e s\punon kurgjë hiq. Vec është tu rrejt.”.
Nga Komuna e Prishtinës fajin për problemet e kësaj familje e kanë hedhur te KESCO.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, tha se KESCO duhet ta largojë prej aty një orman që furnizon shtëpitë aty me rrymë, në mënyrë që ata të vazhdojnë punimet.
“Sa i përket pjesës së kolektorit që po i referoheni, sikur mundeni me vrejt ekziston edhe një orman i KESCO’s. Ne e kemi çu kërkesën që me largu atë orman, që me gjasë ai orman e furnizon pikërisht shtëpinë aty dhe ndonjë shtëpi tjetër aty afër me energji elektrike. Pikërisht në pjesën ku është ormani, qaty vazhdohet edhe kolektori në pjesën e poshtme”, ka deklaruar Havolli për Reporteri.net.
Sipas tij, sapo të largohet ky orman, punimet mund të zgjasin rreth tri javë.,
“Sapo të zhvendoset ormani i KESCO’s, ne menjëherë do ta vazhdojmë pjesën e kolektorit për ta zgjidhë problemin e shtëpisë…Për shkak të një ormani të energjisë elektrike, ne nuk mund ta përfundojmë. Na kanë premtu që kanë me largu. Na kemi punë përafërsisht edhe 3-4 javë me qëllim që shtëpisë në fjalë me iu kthy hapësira e normaliteti i qarkullimit”, ka deklaruar Havolli.
E nga KESCO, gishtin e kanë drejtuar te komuna.
“Ky rast i takon komunës. KEDS ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, por fillimisht Komuna duhet të përfundojë punimet ndërtimore. Pasi Komuna t’i përfundojë ato, ne do të realizojmë punimet elektrike. Deri më tani, punimet ndërtimore nga komuna ende nuk janë kryer”, thuhet në përgjigjen e KEDS./Reporteri.net