Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ka dërguar te presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, propozimin e ri për drejtor të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, por nuk ka treguar emrin.
Hoti ka deklaruar se ka qenë iniciativë e tij shkarkimi i drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi.
Por Fatmir Xhelili, kryetar i Komisionit Kuvendar për AKI-në thotë për Reporteri.net se edhe pse ligji e parasheh që 20 ditë pas shkarkimit të emërohet drejtori i ri i Intelegjencës, është mirë që ky emërim të ndodh vetëm pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen së shpejti.
Xhelili thotë se ligji nuk ka mundur të parasheh situatën kur të dy udhëheqësit kryesorë të shtetit janë ushtrues detyrë.
“Edhe pse ligji i Agjencionit parasheh që drejtori duhet me u zëvendësuar brenda 20 dite, mendoj që juridikisht është ligjore, por për të mirën e AKI-së dhe sigurisë kombëtare ushtruesi i detyrës së presidentes dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit nuk është në rregull ta emërojnë drejtorin e ri në këtë fazë. Duhet që pas zgjedhjeve të reja presidenti dhe kryeministri ta zgjedhin drejtorin e ri që të ketë Agjencioni fuqi dhe veprim dhe të motivojë zyrtarët e AKI-së të punojnë si dueht dhe të mos jenë në presion që drejtori do të ndërrohet sot apo nesër, dhe kjo AKI-në është duke e lënduar”, ka thënë Xhelili për Reporteri.net.
Ai thotë se është ithtar që ushtruesja e detyrës së drejtorit të AKI-së të vazhdojë mandatin deri pas zgjedhjeve të reja kur duhet të emërohet edhe kreu i ri i AKI-së.
Xhelili ndërsa ka folur për shkarkimin e drejtorit Kreshnik Gashi ka deklaruar se ky shkarkim ka ndodhur pa fajin e ish-kryeshefit të AKI-së dhe së është dëmtuar Agjencioni.
Ai thotë më tej se duhet të aprovohet ligji për qeverinë në mënyrë që të definohet qartë gjërat se cilat janë kompetencat e ushtrues së detyrës së presidentes e cilat të ushtruesit të detyrës së kryeministrit. /Reporteri.net/.