×
  • Lajme
  • Lajme

    Faton Klinaku ushtrues detyre i kryetarit të OVL-së së UÇK-së, deri në kthimin e Gucatit

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 20:15

    Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë vendim që deri në kthimin e kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucati, detyrën e kryetarit ta ushtrojë Faton Klinaku, që aktualisht ka pozitën e sekretarit.


    Klinaku, njoftoi se edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, është nisur për në Hagë.

    Në një konferencë për media të mbajtur para pak çasteve, Klinaku tregoi se e kanë mbajtur një takim të shkurtër të kryesisë, ku është vendosur që ai ta merr udhëheqjen e organizatës derisa të kthehen kryetari dhe nënkryetari.

    “Kryesia u interesua për gjendjen. Raportova për bastitjet se qysh i kanë bë ata, se frika jonë ka qenë se mos po na lënë diçka, ndërsa sa i përket përgjimeve e kemi ditur se na kanë bërë vazhdimisht”.

    “Kryesia vendosi që unë ta marr udhëheqjen e organizatës deri sa të vijnë kryetari e nënkryetari, bashkë me Migjenin do ta udhëheqim. Ne punën e përditshme do ta vazhdojmë”.

    “Gjatë bastisjes i kanë marr vetëm disa shtëpiza të kompjuterëve dhe disa pajisje të kamerave”.

    “Gucatin menjëherë e kanë dërguar në Hage. Atij ia kanë marrë telefonin menjëherë si kanë hyrë këtu. Bastisja ka zgjatur goxha shumë se nuk i kam besuar dhe i kam kontrolluar se mos po lënë diçka. Me Nasim Haradinajn kemi pasur një telefonatë, ku ka treguar se po e dërgojnë edhe atë në Hagë”, u shpreh Klinaku.

    Pas tetë orëve bastisë dhe pa arrestimit të dy prej drejtuesve më të lartë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetarit Hysni Gucati dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj, pjesëtarët e EULEX-it janë larguar nga zyrat e kësaj organizate shkruan Reporteri.net.
    Aksioni i filluar rreth orës 11:30 nga zyrtarët e Gjykatës Speciale në selinë e OVL të UÇK-së ka përfunduar pas rreth tetë orë bastisjeve.

    Këtë e ka konfirmuar para pak çastesh avokati Tomë Gashi në një konferencë për media.

    Gashi po ashtu ka thënë se nënkryetari i OVL-UÇK i cili u arrestua gjatë ditës së sotme nga EULEX-i është duke u transferuar për në Hagë.

    Përpos Haradinajt në Hagë është duke transferuar edhe kreu i OVL-UÇK, Hysni Gucati, i cili u arrestua në orët e pasdites në zyret e kësaj organizate.

    Gashi ka thënë se këto arrestime kanë të bëjnë me dokumentacionet që rrodhën në javët e fundit në lidhje me dosjet e Speciales.

    Ndërkohë, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se bastisje ka zgjatur pasi ai nuk ka pranuar që të bastisen zyrat pa qenë ai prezentë në çdo dhomë.

    Ai ka thënë se nga aty janë marrë vetëm shtëpiza të kompjuterëve.

    Arrestimet e dy krerëve të OVL-UÇK-së nxitën tensione në Kosovë, ku para zyreve të OVL-UÇK-së, u mblodhën një numër protestuesish, të cilët edhe u përleshën me policët e EULEX-it.

    Ata po vazhdojë edhe më tutje të qëndrojnë para zyreve të kësaj organizate duke brohoritur “UÇK”.

    Këto arrestime vijnë një ditë pasi Tribunali Special nisi arrestimet e para të pjesëtarëve të UCK’së, që akuzohen për krime lufte.

    Procesi i bastisjes në zyrat e OVL-UÇK ka përfunduar para 30 minutash. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!