×
  • Lajme
  • Lajme

    Financimi i partive, Zyra e BE-së përkrah shoqërinë civile

    Reporteri
    18 Qershor 2019 | 17:46

    Përmes një deklarate të përbashkët Zyra e Shefes së BE-së/PPBE dhe shefave të misioneve të BE-së në Kosovë thonë se korniza ligjore dhe institucionale për kontrollin financiar të partive politike duhet t’i përmbahet standardeve të larta.


    “Protesta e djeshme e organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë kundër amendamenteve të projektligjit për financimin e partive politike është një kujtesë e rëndësishme për nevojën e llogaridhënies, mbikëqyrjes, transparencës dhe zbatimit efektiv të vërtetë. Partitë parlamentare duhet të marrin parasysh kërkesat e shoqërisë civile për të siguruar që ky ligj është në përputhje me opinionin ligjor të Komisionit të Venecias, dhe për këtë qëllim, të diskutohet në Komisionin Ad Hoc për Forcimin e Procesit Zgjedhor. BE-ja e mbështet fuqimisht këtë”, thuhet në deklaratë.

    Tutje thuhet se kjo është një reformë kyçe nën Agjendën Evropiane të Reformave, rekomandim i misionit vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së dhe është theksuar në mënyrë të përsëritur në raportin tonë vjetor të Kosovës.

    BE-ja thotë se i ka ngritur shqetësimet e veta te Kuvendi dhe Qeveria, duke përfshirë edhe në takimin e fundit të Komitetit për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovë mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Përpjekjet në Kuvend për të minuar ligjin ngritin shqetësime serioze.

    “Korniza ligjore dhe institucionale për kontrollin financiar të partive politike duhet t’i përmbahet standardeve të larta. Struktura institucionale në qendër të legjislacionit, përkatësisht Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zbatimin e mandatit të saj, buxhetit dhe stafit , si dhe vendimmarrjes, duhet të jetë e pavarur nga përfaqësuesit e partive politike në bordin e KQZ-së. Një pavarësi e tillë është thelbësore për funksionimin e duhur të këtij trupi dhe duhet të kërkohet rreptësisht nga ligji”, thuhet në deklaratë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!