Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi debakël në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke marrë rezultatin më të dobët në histori të saj që nga themelimi, ku u rendit e treta.
Një ditë pas, LDK u mblodh në selinë e partisë, ku Isa Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë bëri të ditur se do të largohet nga kreu i partisë, ndërsa dorëheqje dha edhe Kryesia qendrore e partisë.
Mustafa tha se Kuvendi i LDK-së do ta zgjedh shpejt kryetarin e ri dhe LDK do të kthehet më e fuqishme, por nuk përmendi asnjë emër se kush mund të jetë pasardhës i tij.
Një prej emrave që jo rrallë herë është përmendur si kandidat i mundshëm për të marrë timonin e LDK-së ka qenë edhe Imri Ahmeti, nënkryetar i LDK-së (tani në dorëheqje), njëherit kryetar i Lipjanit.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me Ahmetin për ta pyetur nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.
“Unë nuk jam pretendent për kryetar të LDK-së, jam për më shumë se një kandidat gjithsesi, megjithatë kësaj faze do të shohim të nominuarit që kanë pretendime për t’u bërë kryetar”, tha Ahmeti për Reporteri.net.
Ai tha se pas rezultatit të mbrëmshëm dhe dorëheqjes së Isa Mustafës bashkë me dorëheqjen e tërësishme të Kryesisë Qendrore, duhet të përgatitet Kuvendi i Përgjithshëm siç e parasheh statusi i partisë.
Ahmeti më tej thotë se nuk e ka pritur një rezultat të tillë të LDK-së.
“Sigurisht që nuk e kemi prit, ky rezultat për ne është i pranueshëm, ka qenë proces i rregullt zgjedhor, por mbetet mësim për ne”, ka deklaruar ai.
Ndërsa i pyetur për rezultatin jo të mirë që LDK ka marrë në Lipjan ku renditet e treta pas VV-së e PDK-së, edhe pse udhëheq komunën, Ahmeti ka thënë se zgjedhjet parlamentare dallojnë me ato lokale dhe në garë kanë qenë Hoti dhe Kurti.
I pyetur se a do të kandidojë edhe për një mandate për kryetar të Lipjanit, Ahmeti ka thënë se nuk ka vendosur ende për një gjë të tillë.
Kujtojmë se nga 99.20% të votave të numëruara në nivel vendi, VV prinë me 47.89%, e dyta renditet PDK-ja me 17.36%, e treta LDK-ja me 13.08%, e katërta AAK me 7.40%, kurse NISMA nuk e kalon pragun pasi ka 2.59%. /Reporteri.net/.