×
  • Lajme
  • Lajme

    Fletarrestimet nga INTERPOL-i për tre policët, Qalaj: Qeveria dhe MPB-ja të ndërmarrin masa për sigurinë e tyre personale

    Reporteri
    07 Mars 2024 | 12:18

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherit tani deputet i PDK-së, Rashit Qalaj ka kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërmerren masa sigurie personale për policët ndaj të cilëve është lëshuar fletarrest nga INTERPOL-i, ku për njërin prej tyre, kapitenin Besart Ahmeti raportoi ekskluzivisht Gazeta Online Reporteri, ditë më parë.

    Qalaj theksoi se policët në fjalë kanë zbatuar vetëm ligjin dhe asgjë më shumë.

    Sipas tij, po të ndodhte një futje në listën e INTERPOL-it për ndonjë politikan, do të merreshin masa e mbrojtje e afërt do ishte caktuar, gjë që për policët në fjalë siç tha ai, Alban Jetullahun, Besart Ahmetin dhe Faruk Gashin, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

    “Para disa ditësh morëm një lajm mjaft të keq për futjen në listën e INTERPOL-it të tre zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës. Arsyeja ishte vetëm se ata kanë zbatuar ligjin. Policët që sot janë në listën e INTERPOL-it kanë përdorur forcën e nevojshme, e arsyeshme dhe domosdoshme për të zbatuar ligjin më 28 maj të vitit 2019, ku dhe u arrestua një zyrtar i UNMIK-ut”, tha fillimisht deputeti i PDK-së.

    “Të bëjë thirrje publike shtetit të Kosovës, Qeverisë, Ministrisë së Brendshme, partnerëve tanë që të bëjnë të pamundurën që policët, majori i PK-së, Alban Jetullahu, kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, polici i njësive speciale Faruk Gashi, janë në listën e INTERPOL-it dhe ata të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Paramendo të keni në listë zyrtarë që kanë zbatuar ligjin, asgjë më shumë. I bëjë thirrje Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme që të ndërmerren masa për sigurinë e tyre personale, njëri ndër ta është duke punuar në Bërnjak”, shtoi tutje ai.

    “Paramendone sikur të kishte ndodhur futje në listen e INTERPOL-it të ndonjë politikani. Sa masa do ishte marrë, sa mbrojtje do ishte caktuar, sa xhipa ishin caktu, asnjë masë e asnjë veprim deri në këtë moment për këta policë. Ata janë shërbyes të këtij vendi që kanë zbatuar ligjin”, tha Qalaj para deputetëve në Kuvend.

    Lidhur me fletarrestin ndërkombëtar për kapitenin e Policisë së Kosovës, Besart Ahmetin, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ditë më parë deklaroi se janë informuar edhe zyrtarisht. Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.

    “Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë…e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla para mediave.

    Fletarresti ndërkombëtar ndaj Besart Ahmetit, Sveçla: Ai është mirë, por prej Rusisë nuk pritet asgjë e mirë

    Fletarresti ndaj tre policëve vjen pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë. Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tyre në vitet e fundit në aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.

    Ahmeti është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2001. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!