×
  • Lajme
  • Lajme / Guerilët serbë në Manastir

    Fox News: Inteligjenca amerikane sugjeron se sulmuesit në Banjskë janë të lidhur me forcat e Serbisë dhe Rusisë

    Reporteri
    27 Shtator 2023 | 21:42
    Kriminelë të maskuar që morën pjesë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, të dielën.

    Një analizë e Inteligjencës amerikane ka dëshmuar lidhjen mes kriminelëve që kryen sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë me autoritetet shtetërore në Serbi dhe Rusi. Siç raporton Fox News, s’mund të eliminohet mundësia që edhe organizata terroriste “Wagner” të ketë pasur gisht në sulm.

    Ekspertja e Inteligjencës ushtarake amerikane, Rebekah Koffler, ka theksuar se mundësia e përfshirjes së Serbisë dhe Rusisë në sulmin terrorist është lehtë të paramendohet nisur nga fakti se asnjëra nga këto nuk e njohin Kosovën dhe se të dyja synojnë destabilizimin e rajonit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Analiza paraprake e inteligjencës sugjeron se personat e përfshirë në përleshjen vdekjeprurëse pranë fshatit Banjska në veri të Kosovës më 24 shtator, ishin të lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse. Sulmuesit u dukën të trajnuar profesionalisht dhe disa prej tyre flisnin serbisht dhe rusisht. Dhe, ndonëse prania e mercenarëve të Wagner nuk mund të konfirmohej, nuk e përjashtoj mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në këto ngjarje të fundit”, tha Koffler për Fox News Digital.

    Policia e Kosovës konfiskoi në Manastirin e Banjskës dinamit, granata dore, raketahedhës dhe mina, që u përkisnin terroristëve.

    Madje, sipas saj, ka zëra që thonë se Serbia dhe Rusia po synojnë që ta nisin një konflikt madhor mes serbëve dhe shqiptarëve, kështu për ta justifikuar prezencën e forcave të tyre në Kosovë, kinse si “ndërmjetësues të paqes”.

    “As Rusia dhe as Serbia, të cilët janë aleatë të vendosur, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është qëllimi i tyre afatgjatë për ta ndryshuar situatën. Ka indikacione se Rusia dhe Serbia po punojnë së bashku për të ndezur një tjetër konflikt masiv serbo-shqiptar, në mënyrë që të krijojë justifikim për dislokimin e forcave serbe si për të siguruar “paqe dhe stabilitet”.

    KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s që vepron në Kosovë që nga viti 1999, kohë më parë ka hedhur poshtë nocionin se njësitë Wagner ishin në Kosovë dhe se raportimet e tilla janë përgjithësisht të paverifikuara ose dezinformata.

    Policia e Kosovës patrullon pas incidentit me armë zjarri në fshatin Banjskë, Kosovë, 27 shtator 2023. 

    Mirëpo, Koffler konsideron se një narrativë e tillë nuk është “larg mendsh”. Kjo pasi, sipas saj, Putini mund të synojë që përmes Vuçiqit ta heq vëmendjen e Uashingtonit dhe forcave të NATO-s nga Ukraina.

    “Do të ishte në përputhje me doktrinën ruse të përshkallëzimit anësor nëse Putini do ta ndihmonte Vuçiqin të drejtonte një fushatë destabilizuese në Kosovë për ta larguar vëmendjen e forcave të Uashingtonit dhe NATO-s nga Ukraina. Ajo që Putini ka më shumë frikë është vendosja e forcave të NATO-s në Ukrainë”.

    Për ambasadorin e Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, lidhja e Serbisë me kriminelët që kryen sulmin terrorist është e pashmangshme.

    “Nuk ka dyshim se Beogradi është plotësisht përgjegjës për nxitjen dhe sponsorizimin sistematik të dhunës kundër institucioneve demokratike të Kosovës”, tha për Fox News Digital ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli.

    Vërtetimi që dëshmon se Ushtria e Serbisë e kishte pajisur grupin terrorist të Banjskës me lansues të granatave

    Sipas tij, fakti që dokumentet e Radojçiqit u sekuestruan në vendngjarje dhe disa të dyshuar u strehuan në Serbi, tregon përfshirjen e autoriteteve serbe që refuzojnë të dorëzojnë ata që ekzekutuan sulmin.

    Megjithatë, shkruan tutje Fox News, perspektiva e ambasadorit serb në ShBA, Marko Gjuriq, është ndryshe. Gjuriq pretendon se është Kryeministri Albin Kurti ai i cili duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për sulmin.

    “Gjakderdhja në veri të Kosovës është një tragjedi që mund dhe duhej të parandalohej. Politikat e papërgjegjshme të Albin Kurtit kanë krijuar terrenin për tragjedinë e sotme”, citohet të ketë pretenduar Gjuriq.

    Ndërsa, në një fjalim televiziv drejtuar serbëve, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dënoi dhunën dhe hodhi poshtë kategorikisht pretendimin e Kurtit se sulmuesit ishin sponsorizuar nga Beogradi, në vend të kësaj duke thënë se serbët që kryen sulmin ishin nga Kosova. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!