Mandatit që iu dha dy vjet më parë, tash po i jepet edhe kuptimi financiar.
Për herë të parë Forca e Sigurisë e Kosovës, do të ketë buxhet mbi 100 milionë. Këtë shifër pritet ta arrijë në vitin 2022, nga 67 milion sa ka të planifikuara gjatë këtij viti. E deri në vitin 2024, Mbrojtjes do t’i ndahen 133 milion e 61 mijë e 802 euro.
Kjo rritje buxheti parashihet si hise e 292 milion e 845 mijë e 45 eurove sa pritet të rritet shuma në kuletën kosovare deri në vitin 2024.
Kështu, nga 2.4 miliard sa është në vitin 2021, buxheti sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2022-204, është paraparë të jetë 2.7 miliard brenda 3 vitesh
Nga paratë e ndara për FSK-në e cila po kalon tranzicionin për t’u bërë ushtri, afër 19 milion do të rriten shpenzimet për mallra dhe shërbime, derisa synohet të blihen edhe mjete të reja ushtarake më të sofistikuara.
Buxheti është rritur për fushat tjera të sigurisë dhe drejtësisë.
Për zhvillimin e vettingut, hulumtimin e krimeve të luftës, sigurimin e hetimeve, forcimin të institucioneve në kuadër të ministrisë së punëve të brendshme, nga 221 milion, shuma pritet të rritet në mbi 249 milion në 2024-ën.
Agjencisë Kosovare të Inteligjencës pritet t’i ndahet buxhet prej mbi 8 milion e 900 mijë euro, prej të cilave 7 milion e 400 mijë për shpenzime operative.
Ndërkohë që policia thuhet se po bën përpjekje për t’u anëtarësuar edhe në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, deri në vitin 2024, forcat e rendit dhe sigurisë mund t’i shfrytëzojnë deri në 130 milion euro për shërbime operative.