Fundjavë me diell e shtrëngata shiu, javën tjetër temperaturat pritet të arrijnë në 36 gradë

Në fundjavë mot jostabil, shumë i ngrohtë me shtrëngata me shi. Javën e ardhshme valë e të nxehtit me temperatura edhe mbi 35C.


Ditëve të fundjavës vazhdojnë të paraqiten kushte të motit jostabil. Megjithëse mbetet mot shumë i ngrohtë, orëve të pasdites dhe mbrëmjes priten mundësi për zhvillime të shtrëngatave me shi. Ditën e shtunë më të shpërndara, e ditën e diel më shumë në formë të rrebesheve më të izoluara me bubullima.

Sipas Prishtina Weather, nga dita e hënë, e gjatë javës së ardhshme një valë e të nxehtit afrikan fillon të shtrihet mbi vendin tonë, që sjell temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë kohore. Ditën e hënë orëve të pasdites, priten edhe zhvillime të shtrëngatave me shi, që vende-vende mund të jenë më intensive, ndërsa nga dita e martë parashihet mot më i qëndrueshëm e kryesisht me diell.

Indeksi i cilësisë së ajrit, në ditët e fundjavës do të jetë në vlera të pranueshme. Nga e hëna pritet shtrirje edhe e pluhurit saharian, që rritë koncentrimet e grimcave PM10, e më pas indeksi vende-vende mund të përkeqësohet edhe në vlera të dobëta.

Indeksi i rrezeve UV do të jetë në vlera të larta, prandaj në këto ditë preferohet ekspozim më i ulët ndaj rrezeve të diellit përgjatë orëve të mesditës.

19.06 – Mbetet shumë ngrohtë, paradite intervale me diell. Ditën me zhvillime të vranësirave, e pasdite dhe në mbrëmje priten edhe zhvillime të shtrëngatave me shi.

20.06 – Kryesisht me diell dhe vranësira të pakta gjatë ditës. Pasdite mundësi për rrebeshe shiu, vende-vende edhe me bubullima.

21.06 – Mot i nxehtë, me diell e vranësira. Nga mesdita priten zhvillime të shtrëngatave me shi.

22.06 – Mot shumë i nxehtë, kryesisht me diell

23.06 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë.

Temperaturat në rritje, me vlera jashtëzakonisht të larta gjatë javës së ardhshme. Minimalet luhaten nga 14C deri 17C, e maksimalet nga 26C në fundjavë, rriten në 30C ditën e hënë, e deri të mërkurën edhe në 36C.

Era do të fryj me mesatare dhe mesatarisht e fuqishme në fundjavë nga veriu 5-14m/s, e javën e ardhshme lehtë dhe mesatare nga perëndimi e jugperëndimi 4-11m/s.

Shtypja atmosferike me tendencë të rënies ditëve të fundjavës, më pas gradualisht në rritje.