Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar, të mërkurën ateron në Prishtinë, për vizitë dy ditore në Kosovë që në fokus përveç Dialogun me Serbinë, pashmangshëm pritet të ketë edhe çështjen e dinarit. Krahas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, që Departamenti i Shtetit i ka paralajmëruar në njoftimin e lëshuar dje, emisari amerikan takim do të zhvillojë edhe me krerët e opozitës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Takimi i përbashkët i Gabriel Escobar me krerët e partive opozitare parashihet të zhvillohet nesër, e mërkurë.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se Kryetari Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet ftesës së emisarit amerikan.
“Po Kryetari ka takim me Escobarin”, tha të martën shkurtimisht për Reporteri.net, Berat Rukiqi, koordinatori për media i LDK-së.
Edhe nga AAK-ja jo zyrtarisht i kanë konfirmuar Gazetës Online Reporteri.net se edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë pjesëmarrës në këtë takimin e së mërkurës, që sipas tyre “ka kohë që është kërkuar nga stafi i Escobarit”. Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se ftesë për takimin me opozitën ka edhe kryetari i PDK-së, ndonëse jo zyrtarisht nga kjo parti thanë se nuk janë në dijeni për zhvillimin.
Përveç Kosovës, sipas njoftimit të DASH, Gabriel Escobar nga datat 10 deri më 18 mars 2024 do ta vizitojë edhe Belgjikën, Austrinë dhe Malin e Zi.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit në njoftimin e lëshuar të hënën për media.
Edhe gjatë vizitave tjera, Gabriel Escobar në Prishtinë ka zhvilluar takime të përbashkëta me krerët e opozitës.
Gabriel Escobar e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë e Kosovës janë në pikën më të ulët, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mandatin e dytë qeverisës në vend. Gazeta Online Reporteri.net javën që shkoi raportoi eksluzivisht, se Administrata amerikane ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si ‘masë kufizuese’ ndaj tij. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, me Serbinë.
Në raportimin e 7 marsit 2024, gazeta online Reporteri.net, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike paralajmëroi se “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës pritet të vijnë shpejtë nga SHBA-ja.
Ndryshe, para më pak se tre javësh, Escobar vetë pohoi se SHBA-ja është e shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk është duke e trajtuar si partnere.
“Nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk na trajton si partner, nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe rrezikojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara. Mendoj se ambasadori Hovenier e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik”, kishte thënë Escobar me 23 shkurt 2024./Reporteri.net/
Escobar thotë se SHBA-ja është e shqetësuar: Qeveria e Kurtit nuk po na trajton si partnere