×
  • Lajme
  • Lajme

    Garanci nga NATO-ja rreth veriut kishte kërkuar Serbia

    Reporteri
    27 Shkurt 2020 | 7:53

    Para selisë së Shërbimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel një grup gazetarësh ishim në pritje të bërjes publike të asaj që na kishin lajmëruar jozyrtarisht se është arritur marrëveshja e parë historike mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.


    Por ndërkohë na erdhi një lajm se duhet pritur, sepse delegacioni i Beogradit kishte kërkuar që së pari të konsultoheshin me NATO-n.

    Kishin kërkuar që të merrnin garanci nga NATO-ja. Në fillim nuk na tregonin se çfarë garancie kërkonte Beogradi nga NATO-ja. Ishte madje një gjë që shkaktoi befasi të madhe mes diplomatëve perëndimorë. Sepse NATO-ja ishte organizata më negative për Serbinë, sidomos për dy persona kyç, që ishin atë ditë në Bruksel për t’u marrë vesh me “delegacionin e Prishtinës”, siç e quanin edhe ata, edhe BE-ja, shkruan sot “Koha Ditore”.

    Ivica Daçiq, në atë kohë kryeministër, dhe Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministër, por që atëherë njeriu më i fuqishëm në Serbi, shkuan në selinë e NATO-s. Në të njëjtën kohë thuhej se edhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, po ashtu kishin shkuar në NATO. Në këtë mënyrë, pa pritur, u bë e ditur se edhe NATO-ja do të ketë hise në zbatimin e “disa pjesëve të Marrëveshjes së Brukselit”.

    Më vonë u kuptua se Beogradi kishte kërkuar nga NATO-ja që njësitë e Forcave të Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri. Ishin arsyetuar se “kjo do ta shqetësonte popullatën lokale”. NATO-ja thuhet t’u kishte dhënë garanci gojore se do të shqyrtohej kërkesa e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!