Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për politizimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Gjatë seancës plenare në Kuvend, Gashi tha se kapja e këtij institucioni ka dëmtuar pavarësinë e tij dhe funksionin publik të transmetimit të lajmeve të paanshme, raporton gazeta online Reporteri.net.
Sipas tij, veprimi i parë i LVV-së ishte shkarkimi antikushtetues i bordit të RTK-së, një vendim që më vonë u kundërshtua edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Me ardhjen në pushtet të LVV-së, me mentalitetin tyre të kapjes së pushtetit dhe shtetit, veprimin e parë që e benën në këtë institucion të pavarur ishte shkarkimi i bordit të RTK-së. Normalisht ky vendim ishte antikushtetues, dhe u dërgua në Kushtetuese dhe u vendos se shkarkimi ishte antikushtues por ata nuk u mërzitën për këtë punë vazhduan me politizim, dhe kapje të këtij institucioni duke çuar në bordin e RTK-së të gjithë personat me ngarkesë politike nga LVV-ja”, ka theksuar ai në seancën e së hënës.
Megjithatë, ai pohon se LVV-ja vazhdoi me emërime politike, duke e kthyer RTK-në në një zëdhënës të partisë.
“Si shkas i politizimit dhe nxjerrjes së lajmeve me porosi nga LVV-ja. RTK-ja dështoi që të ofronte shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmeve dhe informacionit me interes publik, si rezultat i këtij dështimi, politizimi dhe kapje nga LVV-ja, LDK-ja mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje ne debate dhe emisione të RTK-së”, ka deklaruar Gashi.
/Reporteri.net/.