×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK bën thirrje që Kuvendi të mblidhet ‘online’

    Reporteri
    13 Korrik 2020 | 17:07

    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike, Besa Gaxherri, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka bërë thirrje që të bashkohen deputetët dhe të votojnë për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, në mënyrë që seancat plenare të mbahen në distancë.


    “E ngris si mocion, që ne ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të punojmë nga largësia. Kjo për arsye se deri më tani, 10 deputetë kanë rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. Jam skeptike dhe besoj se një numër shumë më i madh prej nesh jemi të infektuar. Andaj koha është urgjente që ne ta ndryshojmë rregulloren dhe kjo mund të bëhet brenda 15 minutave përmes një takimi të grupeve parlamentare.”, ka thënë ajo, shkruan Reporteri.net.

    Tutje Gaxherri ka thënë se ka frikë se nëse shtyhet për nesër diskutimi rreth kësaj çështjeje, nuk do të jenë prezent edhe gjysma e deputetëve të Kuvendit për shkak të infektimit me COVID-19.

    Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, ka thënë se ky amandament mund të procedohet vetëm nëse ka një konsensus dhe pajtohen me shkrim të gjitha grupet parlamentare.

    “Lidhur me përpjekjet që janë bërë për ndryshim të rregullores ka qenë propozimi që nga marsi që të mbahen seancat online. Për komisionet kjo mundësi ekziston, ne po i mbajmë mbledhjet e kryesisë përmes platformës ZOOM. Për seancë duhet patjetër të ndryshojë rregullorja. Mua më është dashur konsensusi i grupeve parlamentare”, tha Osmani.

    Nga Vetëvendosje, shefi i deputetëve, Rexhep Selimi ka thënë se nuk mund ta ofrojnë mbështetjen që kjo pikë të futet në rend të ditës.

    “Ne kemi me të drejtë rezervat tona lidhur me motivet e kësaj nisme. Gjithsesi ne do të donim që Kuvendi të ishte funksional. Kjo nismë nuk është një nismë për tu keqpërdorur. Ne si grup parlamentar kemi nevojë konsulta me tepër që kur ta japim mendimin tonë. Ne nuk mund ta ofrojmë mbështetjen që sot të futet në rend të ditës”, ka thënë ai.

    PDK ka thënë se në këtë situatë në të cilën ndodhte vendi duhet të modelohet një zgjidhje që i mundëson kuvendit që të jetë funksional.

    “Po iu pamundësohet deputetëve që për shkak të gjendjes shëndetësore të votojnë në seancë”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bedri Hamza.

    AAK përmes shefit të grupit parlamentar, Daut Haradinaj tha se kanë propozuar edhe ditë më parë votimin online.

    “Edhe sot jemi një deputet minus, do ta jepim përkrahjen”, tha Haradinaj.

    “Ju lus deputetë që të gjithë bashkarisht të mund të zgjedhim një zgjidhje sa i përket mënyrës së votimit. Deri të mërkurën kur e kemi mbledhjen e kryesisë ju lus të vini me propozime”, tha kryeparlamentarja Vjosa Osmani

    Për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit nevojiten votat e 80 deputetëve.

    Kujtojmë se në Kuvendin e Kosovës, deri më tani janë konfirmuar 10 raste të prekura me COVID-19 dhe si rrjedhojë e kësaj, deputetët e infektuar janë duke qëndruar në vetizolim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!