×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetari britanik që sot shpallet “non grata”, paralajmëron video të reja propagandistike kundër Kosovës

    Reporteri
    12 Mars 2019 | 8:00

    Pas raportimit të portalit informativ “Reporteri.net” se gazetari britanik Graham Phillips do të shpallet person “non grata” në Kosovë, ka reaguar vetë britaniku kontrovers.


    Madje në reagimin e tij, gazetari i cili përmes disa videove propagandistike të realizuara në Kosovë, e quajti UÇK-në organizatë terroriste, ka paralajmëruar edhe video tjera të ngjashme të realizuara në vendin tonë.

    “Pra, për nesër është raportuar se unë do të shpallëm zyrtarisht ‘person non grata’ nga Kosova. Për çfarë? Për raportim të së vërtetës”, ka shkruar gazetari britanik, ndaj të cilit Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka përgatitur një ndalesë për hyrë në territorin kosovar përgjatë 10 viteve të ardhshme.

    “Projekti pothuajse ka mbaruar gjithsesi. Shpresoj se ka qenë informativë për ju, sikurse për mua. Megjithatë, edhe 2 raportime tjera do të vijnë, dhe faleminderit përsëri për të gjithë mbështetjen tuaj!”, ka shkruar Graham Phillips në facebook-un e tij.

    Nga ana tjetër, Reporteri.net ka shkruar të hënën se gazetari britanik Graham Phillips, pritet të shpallet person “non-grata” nga shteti i Kosovës.

    Sipas këtij raportimi, Ministria e Punëve të Brendshme është duke e përgatitur, mbi bazën ligjore, vendimin për ta shpallur Phillipsin të padëshirueshëm brenda territorit kosovar.

    Vendimi në fjalë tashmë është i gatshëm dhe pritet që të martën më së largu të nënshkruhet nga ministri i brendshëm Ekrem Mustafa.

    Sipas vendimit, një pjesë të të cilit e ka publikuar portali informativ “Reporteri.net”, gazetari britanik të paktën 10 vite nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë.

    MPB-ja e ka arsyetuar vendimin e saj duke pohuar se Phillipsi shpallet i padëshiruar në Kosovë pasi i njëjti është shfaqur duke përhapur propagandë kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe ka cenuar sigurinë dhe rendin publik me materialet e tij, ka shkruar Reporteri.net të hënën.

    Gazetari nga Britania e Madhe, para pak ditësh, në rrjete sociale shpërndau disa materiale propagandistike kundër shtetit të Kosovë.

    Në një nga këto video, të xhiruara në Kosovë, Graham Phillips e quan UCK-në organizatë terroriste, dhe thotë se ai turpërohet se si vendi i tij i origjinës e ka përkrahur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!