×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetari Nuhiu thotë se Gjykata Speciale e thirren me Viber

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 23:20

    Pas raportimeve se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit, gazetari Nuhi Bytyçi ka thënë se nuk ka pranuar kurrfarë ftese me shkrim.


    Ai ka bërë të ditur se para disa ditësh ka marrë një thirrje në Viber nga Zyra e Prokurorisë Speciale, por nuk i është treguar se për çfarë arsye po e kontaktojnë.

    “Kam vetën një sqarim të vogël. Para disa ditësh kam pranuar një telefonatë nga Zyra e Prokurorisë Speciale nëpërmjet Viber-it dhe nuk më kanë treguar se për çfarë arsye po më kontaktojnë. Numri që më ka telefonuar ka qenë një numër i fshehtë”, ka deklaruar Bytyçi për Klan Kosova.

    Ai më tej ka lëshuar një deklaratë për media thotë se ka shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë së tij gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se si gazetar e qytetar i Republikës së Kosovës, ndihet krenar me veprimtarinë  në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Deklarata e plotë e gazetarit Bytyçi:

    Njoftoj opinionin publik se unë nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare me shkrim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

    Momentalisht gjendem në një turne të promovimit të librit tim, “Librit të luftës”, që më është organizuar në Zvicër, në Austri dhe në Slloveni.

    Ditë më parë jam kontaktuar në telefon nga përfaqësues të kësaj gjykate të lartpërmendur.

    Edhe pas kërkesës sime, përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk më kanë informuar se në çfarë cilësie më kanë kontaktuar mua.

    Kam kërkuar nga ta që për çdo kërkesë të tyre drejtuar meje të informohem zyrtarisht me shkrim.

    Në të njëjtën kohë, kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Si gazetar dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, unë ndihem krenar me veprimtarinë time në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

    Prandaj, edhe njëherë e potencoj se unë jam i gatshëm që në çdo kohë dhe në mënyrë të hapur të dëshmoj për sakrificën dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezantuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare.

    Gazetari i njohur raportohet të jetë ftuar nga Gjykata Speciale

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!