Gjendja e rënduar në Infektivë, shtretërit po zëvendësohen me pacientë të rinj

Infektologu Sali Ahmeti ka thënë se në Klinikën Infektive po punohet me kapacitete të plota dhe rastet janë tepër të rënda.


Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë me përpikmëri masat pasi situata është mjaft e rënduar.

“Në Klinikën Infektive jemi duke punuar me kapacitete të plota. Ata që po lirohen menjëherë po zëvendësohen me pacientë të rinj, kështu që Klinika është gjithmonë me kapacitete të mbushura. Rastet janë mjaft të rënda dhe ne po përpiqemi të ju ndihmojmë sa do që mundemi”, tha Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se duhet të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe në raport me gjetjet duhet të ndërmeren edhe masa.

“Duhet të bëhet vlerësim i situatës epidemiologjike bazuar në fakte dhe në raport me gjetjet duhet të ndërmerren masat përkatëse. Apeli im ishte që duhet të respektohen masat ekzistuese dhe për masa të tjera në raport me vlerësimin e fakteve epidemiologjike që duhet të nxjerren patjetër nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka thënë ai për GazetaBlic.

Numri total i rasteve pozitive me koronavirus në vendin tonë është 90 mijë e 430.

Fundjavën e shkuar në vendin tonë kanë arritur dozat e para të vaksinës anti Covid, Astra Zeneca dhe personat e parë që janë duke u vaksinuar me to, janë mjekët dhe personat mbi 80 vjeç.