Autor: Mirlind Behluli
Të dielën Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një bashkëbisedim me qytetarë në Facebook përmendi ‘kapjen’ e drejtësisë nga pushtetet e kaluara. Gjatë takimit online me simpatizantët e tij, kandidati për Kryeministër deklaroi se asnjë institucion i drejtësisë nuk ka shpëtuar nga kapja e regjimit.
Sipas kandidatit për kryeministër nga radhët e LVV-së, procesi i vettingut në drejtësi është i nevojshëm.
Albin Kurti lë të kuptohet se se ky proces do ta përfshijë edhe Gjykatën Kushtetuese, për të cilën kreu i VV’së nuk është se pati fjalë të mira. Tha se aty ka gjyqtarë të dënuar.
“Në Gjykatën Kushtetuese e dimë që ka gjyqtarë me raste të dënimeve dhe mbase nuk fillojmë prej saj, sepse do të fillojmë me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor, por është e qartë se asnjë institucion i drejtësisë në Kosovë nuk ka shpëtuar nga kapja e regjimit që po shkon”, tha Kurti.
Por ndaj këtyre deklarimeve të Kurtit, deri më sot ka heshtur Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ka dy tre ditë rresht që Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka dërguar pyetje në adresë të Kushtetueses duke kërkuar një koment për akuzat e Kurtit drejtuar këtij institucioni.
Të pyetur nëse ndihen të intimiduar apo nën presion nga deklarimet e kandidatit për kryeministër Kurti, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur heshtjen.
Po ashtu, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka pyetur edhe për çështjen e komenteve të Kurtit se në Kushtetuese ka gjyqtar të dënuar. Por përgjigja nga e Gjykatës mungon edhe ndaj kësaj akuze te kandidatit për kryeministër.
Kujtojmë se marrëdhënia ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe LVV ka qenë e komplikuar ndër vite.
Edhe më parë VV kishte akuzuar këtë institucion se është e kapur dhe në shërbim të pushtetit.
Gjykata Kushtetuese gjatë vitit të kaluar kishte shpallur aktgjykim dy herë radhazi se vendimet e Qeverisë Kurti për karantinimin e komunave dhe kufizimin e lirisë së lëvizjes ishin jokushtetuese.
Së fundmi, Kushtetuesja e kishte shpallur si të pranueshme kërkesën e deputetëve të VV për çështjen e votës të deputetit Etem Arifit gjatë formimit të Qeverisë Hoti duke e shpallur këtë të fundit si jokushtetuese.
Megjithatë, VV kishte reaguar ndaj këtij vendimi ku parashihej dispozita se asnjë i dënuar me vendim përfundimtar në tri vitet e fundit nuk ka të drejtë të kandidoj. Ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese bëri që KQZ dhe Gjykata Supreme të mos lejojë kandidimin e Kurtit për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. /Reporteri.net/.