×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata merr vendim ndaj 7 të dyshuarve për përfshirje në rastin e 400 kg kokainë

    Reporteri
    19 Maj 2021 | 16:57

    Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, shtatë të dyshuarve të përfshirë në rastin ku të hënën në Lipjan janë sekuestruar e 400 kg kokainë.


    Masa e paraburgimit është caktuar për Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Kadri Ibrahimin, Fehmi Bytyqin, Faton Vrajollin, Enver Belegun dhe Bajram Maliqin.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    Të gjithë të dyshuarit në këtë rast po dyshohen se kanë kryer veprën penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal lidhur me veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge.

    Ndërsa, Izet dhe Kadri Sheqiri po dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

    Në kërkesën prokurorisë për caktim të paraburgimit thuhej për të gjithë këta të dyshuar janë plotësuar kushtet ligjore për caktim të paraburgimit.

    Nga provat e siguruara, prokuroria po pretendon se është vërtetuar se të padnehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe si bashkim i strukturuar, ishin në dijeni se ngarkesa në kamion përmbante përveç produkteve ushqimore edhe substanca narkotike.

    Në kërkesën e PSRK-së thuhet se në rast se të dyshuarit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të arratisen.

    Po ashtu, kërkesën e saj për caktim të paraburgimit, PSRK e bazon edhe në atë se, nëse të dyshuarit lihen në liri atëherë ekziston mundësia që të njëjtit të ndikojnë te dëshmitarët, pasi sipas kërkesës, rasti është ende nën hetime dhe nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët.

    Po ashtu, prokuroria pretendon se nëse të dyshuarit lihen në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale duke bashkëpunuar me persona të cilët aktualisht janë në arrati dhe të cilët dyshohen se janë pjesë e grupit kriminal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!