Gjykata merr vendim për vushtrriasin që mbolli kanabis në oborrin e tij

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të bimëve narkotikëve, Faruk Klinaku.


Por, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, dënimin me gjobë i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej tre muajsh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, me kërcënimin se në qoftë se nuk e paguan do t`i zëvendësohet me burg, ku 20 euro do t`i llogaritet një ditë burgim.

Në këtë dënim, kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti, ka njoftuar të akuzuarin se do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 2 shtator 2010, deri më 1 tetor 2010, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 1 tetorit 2010, e deri më 1 janar 2011.

Po ashtu, gjykata ndaj të pandehurit Klinaku ka shqiptuar edhe dënimin plotësueses, konfiskimi i përhershëm i gjashtë bimëve narkotike.

Krahas kësaj, gjykata e ka obliguar të pandehurin që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, në emër të shpenzimeve gjyqësore shumën prej 30 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Ky aktgjykim është shpallur pasi paraprakisht i akuzuari Klinaku, në seancën fillestare, pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësen e tij, të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokaten Fatmire Braha, e ka pranuar fajësinë.

Gjykatësi Mehmeti, ka deklaruar se si rrethanë lehtësuese për zbutjen e dënimit e ka marrë pranimin e fajësisë nga i pandehuri, kohën e gjatë të kaluar nga kryerja e veprës penale, marrëdhënien e tij të punës si dhe pozitën e mbajtësit të familjes.

Gjykatësi Mehemti ka deklaruar se dënimi me burg efektiv do ta dëmtonte shumë të pandehurin, kurse këtë të fundit e ka njoftuar në të drejtën e tij për ankesë sa i përket lartësisë së dënimit.

Ndryshe, ish-Prokuroria Publike e Qarkut, më 22 shkurt 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Faruk Klinakut, duke e akuzuar se në ditën e pacaktuar të muajit prill të vitit 2010, në kopshtin e tij, në fshatin Bivolak të Komunës së Vushtrrisë, kishte mbjellë gjashtë bimë të kanabisit, me qëllim shitje.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri ishte kujdesur dhe i kishte ujitur bimët e kanabisit, e që kishin arritur gjatësinë prej 2.75 cm, ndërsa më 2 shtator 2010, ato i ishin gjetur dhe konfiskuar nga policia.

Me këtë, Klinaku akuzohet se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psikotropike”, nga neni 230 paragrafi 1 i KPK-së.