×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata përjashton mediat nga gjyqi për “veteranët e rrejshëm”

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 11:46

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marr vendim që me rastin e leximit të shtojcës së aktakuzës, për pjesën ku përmenden emrat e “veteranëve të rrejshëm”, të përjashtohet publiku dhe mediat.


    Një vendim të tillë, e ka marr kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, me qëllim sipas saj, të mbrojtjes së të dhënave të cekura në shtojcë.

    Pas përjashtimit të publikut dhe mediave, në sallën e gjykimit janë lejuar të qëndrojnë vetëm monitoruesit nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, EULEX dhe OSBE.

    Në seancën e së enjtes, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka veçuar procedurën ndaj dy të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët”, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, të cilët kanë munguar në këtë seancë.

    Gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, ka thënë se i akuzuari Xhavit Jashari, ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt, por personi me emër Ramiz Rama, më 12 mars 2019, i ka dorëzuar gjykatës kërkesën me arsyetim për mungesën e tij në seancën e së enjtes.

    Në kërkesë thuhej se i akuzuari Jashari ka udhëtuar në Austri, pasi një familjar i tij ka qenë me probleme shëndetësore.

    Sipas gjykatëses, Gjykata i është drejtuar Aeroportit, stacionit për kontrollin e kufirit dhe nga këto të dhëna ka rezultuar se më 7 mars 2019, Xhavit Jashari, ka udhëtuar përmes pikës kufitare në Vërmicë dhe se para kësaj seance në emër të Xhavit Jasharit është dorëzuar një kërkesë e datës 11 mars, ku thuhet se ai nuk mund të jetë prezent në këtë seancë.

    Gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, i ka pyetur palët nëse është e nevojshme të veçohet procedura.

    Prokurori i Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi, ka kërkuar nga Gjykata që të zbatohet neni 307 i Kodit të Procedurës Penale që të lëshojë udhërarrest për të pandehurit, pasi janë njoftuar në mënyrë të rregullt dhe sipas tij, nuk ka nevojë të veçohet procedura.

    Por, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë kundërshtuar propozimin për lëshimin e urdhërarestit dhe veçimin e procedurës.

    Megjithatë, më pas, Gjykata mori vendim për veçimin e procedurës për të akuzuarit Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, dhe ndaj tyre do të merret numër i ri i lëndës.

    Seanca fillestare e paraparë për 28 janar të këtij viti kishte dështuar të mbahej, pasi në sallën e gjykimit nuk ishte paraqitur ministri aktual i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, si dhe e dy të akuzuarit tjerë, Faik Fazliu dhe Smajl Elezaj.

    Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kukaj – Mekaj, i akuzuari Berisha kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

    Kurse, për të akuzuarin Fazliu, kishte thënë se ai e kishte njoftuar gjykatën se është në një trajtim shëndetësor në Shqipëri, derisa sipas saj, i akuzuari Elezaj, nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.Për shkak të mungesës së të akuzuarve, gjykatësja Kuka-Mekaj, kishte vendosur që tentimi i dytë për mbajtjen e seancës fillestare të caktohet më 14 mars 2019.

    PSRK-ja, në aktakuzën në të cilën për akuza për korrupsion ka akuzuar Agim Çekun, Rrustem Berishën, Shkumbin Demalijajn, Nuredin Lushtakun dhe shtatë persona të tjerë, i kishte propozuar kësaj gjykate që të caktojë masë të përkohshme për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtar të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Ndryshe, PSRK-ja aktakuzën të cilën e kishte hetuar prokurori special Elez Blakaj, që kishte ofruar dorëheqjen nga pozita e prokurorit, e kishte dorëzuar në gjykatë 14 shtator 2018, por e nënshkruar nga prokurori Afrim Shefkiu.

    E njëjta aktakuzë ishte kthyer në plotësim dhe përmirësim nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, pasi sipas saj, kjo aktakuzë nuk ishte formuluar sipas ligjit.

    Pasi ishte kthyer prapa, PSRK-së i ishin dhënë 30 ditë që të bëjë përmirësimin e kësaj aktakuze, por kjo gjë nuk kishte arritur të ndodhte, pasi PSRK-ja kishte kërkuar nga gjykata edhe 30 ditë të tjera afat, për të bërë përmirësimin e aktakuzës, sipas vërejtjeve të gjykatës.

    PSRK-ja, këtë aktakuzë e kishte dorëzuar në gjykatë për herën e dytë, në versionin e përmirësuar më 7 dhjetor 2018.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.Ndërsa me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!