×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Speciale: Hysni Gucati dyshohet për friksim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe nxjerrje të fshehtësive të gjykatës

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 23:56

    Kryetari i Organizatës së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati i arrestuar sot nga hetuesit e Gjykatës Speciale, akuzohet për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe nxjerrje të fshehtësive të Gjykatës, shkruan Reporteri.net.


    Kjo është bërë e ditur disa orë pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është thënë se Gucati këto vepra janë të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr 05.L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Kkundër tij është lëshuar fletarrestim për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës” ku përmenden edhe konferencat për shtyp.

    “Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.

    Kurse, për paraqitjen e parë të Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake, Dhomat e Specializuara thonë se do të njoftojnë më vonë.

    Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar arrestimin e Gucatit, në bazë të, siç u tha “një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

    Menjëherë pas arrestimit të Gucatit, avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, tha se “në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai (Gucati) është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.

    Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX) dhe Policia e Kosovës i dha mbështetje operative dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar gjatë arrestimit të Gucatit.

    Gucati u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, ku gjatë ditës, zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kryen bastisje për më shumë se 8 orë.

    Po ashtu, sot nga zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar dhe Policia e Kosovës u shoqërua edhe Nasim Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve po arrestimin e tij nuk e ka konfirmuar prokuroria në Hagë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!