×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Speciale vendos të respektojë privatësinë e Veselit, nuk tregon se kur kthehet në Hagë

    Reporteri
    03 Maj 2021 | 13:26

    Gjykata Speciale nuk është lëshuar në detaje se sa do të qëndrojë Kadri Veseli në Kosovë, e këtë po e bëjnë për të respektuar privatësinë e tij.


    Në një përgjigje me shkrim, Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, tha se nuk mund të japin informacione shtesë lidhur me qëndrimin e ish kreut të PDK-së në Kosovë.

    “Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Z. Veseli, ne nuk mund të japim ndonjë informacion shtesë mbi vizitën e kujdestarisë”, tha Griep për Gazetën Express.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’, ka shkruar se Veseli do të qëndrojë për tri ditë në Kosovë.

    Veseli erdhi dje nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, pasi gjendja shëndetësore e babait të tij është e rëndë.

    Raportohet se gjendja shëndetësore e babait të Veselit është e rëndë dhe i njëjti po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”.

    Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.

    Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!