×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës më 1 korrik i rikthehen grevës

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 17:33

    Rreth një vit pasi që kishte marr vendim për pezullimin e grevës, Sindikata e Pavarur e Judikaturës e Kosovës (SPJK), ka njoftuar se sërish do t’i rikthehet të njëjtit veprim sindikal.


    Kjo sindikatë, ka njoftuar se nga 1 korriku i këtij viti, administrata e Gjykatave dhe Prokurorive, do të hyjë në grevë të përgjithshme në nivel vendi.

    “Të nderuar përfaqësueses të mediave, përmes këtij email po iu rikujtojmë edhe njëherë lidhur me vendimin e Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, për aktivizimin e grevës se pezulluar te administratës se Gjykatave dhe Prokurorive te Republikës së Kosovës, e cila do filloj më 1 korrik 2019 dhe do te vazhdoi deri ne realizimin e kërkesave”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, vitin e kaluar greva e punëtorëve të Gjykatave dhe Prokurorive kishin hyrë në grevë më 4 korrik, e cila kishte zgjatur deri më 11 korrik.

    Pezullimi i kësaj greve pas gjashtë ditësh, ishte mundësuar pasi që ishte arritur marrëveshje, pas një takimi që përfaqësuesit e këshillit grevist kishin pasur me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, kryetarët e Gjykatave Themelore si dhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, ku kishte marr pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

    Gjatë kohës sa kishte zgjatur greva, qindra seanca gjyqësore kishin dështuar të mbaheshin në të gjitha gjykatat e vendit. Vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për çdo ditë kishin dështuar të mbaheshin mbi 100 seanca gjyqësore, përfshirë edhe ato të korrupsionit.

    Kurse, dhjetëra seanca për çdo ditë, si pasojë e grevës ishin pamundësuar edhe në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës.

    Nga greva ishin përjashtuar vetëm rastet e paraburgimeve, të dhunës në familje si dhe rastet të shënjestruara për liberalizimin e vizave. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!