×
  • Lajme
  • Lajme

    GLPS: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 12:33

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar sot se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut apo e ‘praktikës’ evropiane.

    GLPS konsideron që mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe respektit të ndërsjellë të secilit vend të Bashkimit Evropian.

    “Ne dëshirojmë të theksojmë që nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër në një mënyrë të tillë sikur të ishte një proces zgjedhor i zakonshëm.

    Në kuptim të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (psh rasti Py v. France 2005), e drejta e dikujt për të votuar për zgjedhjet e një shteti tjetër në territorin e shtetit ku banon nuk ekziston. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e qartë në kuptim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3, protokolli 1).

    Madje GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues që të mos lejojë një proces votimi për një referendum kushtetues të një shteti tjetër, e aq më pak për një shtet me një kushtetutë paragjykuese dhe armiqësore ndaj territorit të Republikës së Kosovës.

    Prandaj, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk duhet ta lejojë një proces të tillë por e njëjta duhet të arsyetojë veprimin e saj duke u mbështetur në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës, pavarësisht deklaratave dhe presioneve të ndryshme nga jashtë”, thekson GLPS.

    “Së fundmi, kërkesa e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka asnjë lidhshmëri me të drejtat e njeriut dhe refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane.

    E njëjta është hapi i radhës në tentimet e vazhdueshme të Serbisë në cenimin e shtetit të Kosovës, veprime këto që duhet ndaluar. GLPS mbështet veprimet të cilat i kontibuojnë fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal por, vetëm në rastet kur Kosova është palë e barabartë dhe e respektuar për sovranitetin e saj tashmë të njohur botërisht. Ndërsa kërkesa konkrete e Serbisë përkundrazi nuk promovon aspak bashkëpunim të mirëfilltë dhe qëllim për dialog konstruktiv mes dy shteteve.

    Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe me legjitimitet të plotë që të sillet si i tillë ndaj çdo kërkese e cila do cenonte parimet kushtetuese dhe integritetin shtetëror. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që e njëjta të ketë parasysh këto fakte gjatë marrjes së një vendimi lidhur me këtë situatë”, thuhet më tej në reagimin e GLPS-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!