×
  • Lajme
  • Lajme

    Grabitësit në aksion, 138 raste u regjistruan këtë vit në Kosovë

    Reporteri
    19 Nëntor 2021 | 17:22

    Autor: Lira Klaiqi


    Grabitjet e armatosura janë shtuar së fundmi në Kosovë.

    Në fillim të javës që lamë pas një tentim grabitje ndodhi në një argjendari në Prizren, ku për pasojë pronarët e kësaj argjendarie mbetën të plagosur.

    Përderisa dje u arrestuan tre të dyshuarit kryesor për rastin e Prizrenit, edhe dy grabitje të tjera të armatosura ndodhën pasdite në Prishtinë.

    Persona të armatosur sulmuan automjetin e një kompanie të sigurimit që po transportonte paratë e bankave dhe arritën të grabisin rreth 450 mijë euro.

    Po ashtu në mbrëmje në një lagje të Prishtinës, tre persona të armatosur grabitën një market. Punëtorët e KAM market u terrorizuan nga grabitësit që ua vodhën atyre të gjithë arkën me para.

    Gazeta Online Reporteri.net, ka kërkuar nga Policia statistikat e të gjitha grabitjeve përfshirë edhe atyre të armatosura që kanë ndodhur në vendin tonë në vitet e fundit.

    Në statistikat e policisë, në shifra, janë përmbledhur të gjitha grabitjet e denoncuara. Vetëm këtë vit deri në muajin tetor del se janë raportuar në total 138 raste të grabitjeve në Kosovë.

    Në statistikat që ka marrë Gazeta Online Reporteri.net nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, del se viti 2018 ka qenë viti me numrin më të madh të grabitjeve të kryera në vend.

    “Referuar kërkesës suaj ju përcjellim të dhënat e kërkuara për numrin e rasteve grabitje: Në vitin 2018, janë evidentuar 297 raste”, ka njoftuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

    Në vitin 2019 sipas Policisë janë shënuar 171 grabitje.

    “Në vitin 2019, janë evidentuar 171. Në vitin 2020 janë evidentuar 148 raste dhe në periudhën Janar – Tetor 2021 janë raportuar gjithsejtë 138 raste të grabitjeve”, kanë njoftuar Policia.

    Tentim-grabitja e armatosur në Prizren, ku mbetën dy të plagosur

    Mbrëmjen e së hënës ndodhi një tentim grabitje në një lokal argjendarie në Prizren.
    Pronari dhe djali i tij kishin mbetur të plagosur nga të shtënat me armë të tre personave të cilët të armatosur dhe të maskuar kishin tentuar të grabisnin.

    Të njëjtit pas plagosjes ishin larguar me një veturë ndërsa pas disa minutave e njëjta veturë e dyshuar që u përdor në rast ishte hasur e djegur në një fshat të Prizrenit.

    Të dyshuarit nën kërcënim të armës kishin vjedhur një veturë të një kalimtari dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

    Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë së Prizrenit, të enjten njoftoi lidhur me rastin e tentim-grabitjes që ka ndodhur në një argjendari në Prizren ka njoftuar se tashmë janë arrestuar tre të dyshuar.

    Në një konferencë për media, kryeprokurori Shala dhe drejtori i Policisë, Faton Aliu, kanë dhënë detaje lidhur me rastin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.

    “Gjatë sigurimit të provave materiale kemi arritur të bëjmë identifikimin e disa nga të dyshuarit, dhe për momentin janë të arrestuar tre persona”, deklaroi prokurori. Tutje ai bëri të ditur se dy persona janë arrestuar sot gjatë një bastisjeje me urdhër të Gjykatës së Prishtinës dhe njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar mbrëmë. Shala ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve Prokuroria tashmë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Kryeprokurori Shala tha se ende nuk dihet motivi i kësaj tentim-grabitjeje.

    Ndërkaq, shefi i Policisë së Prizrenit, Faton Aliu, lidhur me incidentin bëri të ditur se menjëherë janë aktivizuar të gjitha njësitë dhe stacionet relevante dhe janë ndërmarrë veprimet e duhura operative.

    “Është aktivizuar plani “Unaza e Çeliktë” ku ky rast për dallim prej rasteve tjera është përcjellë me pesë vende të ngjarjes, d.m.th. pesë vende të ndryshme të ngjarjes ku është dashur Policia të fokusohet”, sqaroi ai.

    Sipas Aliut e gjithë ngjarja kishte zgjatur 13-15 minuta ku nga kjo kohë automjeti kishte dalë nga rajoni i Prizrenit.

    Shefi i Policisë bëri të ditur se nga shkëmbimet e zjarrit qytetarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa, ka dhënë detaje të tjera lidhur me grabitjet në Prizren. Sipas tij, nga data 1 janar e deri më sot në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 10 grabitje, prej tyre 7 janë të zbuluara.

    “70% e rasteve është zbuluar falë bashkëpunimit të mirë që e kemi me qytetarë dhe prokurorinë. Andaj, Policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë informacione të cilat i kanë lidhur me këtë rast apo rastet e tjera”, theksoi Faton Aliu.

    Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Grabitja e 450 mijë eurove në Parallovë

    Gazeta Online Reporteri.net dje ka raportuar për një grabitje të armatosur në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

    Siç raportojnë mediat sot, në furgonin që po barte para, ditën e djeshme, në grabitjen e armatosur në magjistralen Prishtinë-Gjilan, janë vjedhur rreth 450 mijë euro.

    Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Reporteri.net se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kombi, i cili ka qenë duke transportuar para të bankave, ndërkaq, përderisa pritej që hetimet të vazhdonin nga Policia, më vonë gjatë ditës u gjet edhe vetura me të cilën dyshohet se ishte kryer sulmi.
    Vetura u gjet e djegur në fshatin Parallovë të Komunës së Artanës.

    Grabitja në KAM Market

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmjen se enjtes në market “KAM”, rrugës për në Matiqan të Prishtinës.

    Mësohet se grabitësit kanë ikur në drejtim të Matiqanit, kurse punëtorët e marketit janë terrorizuar.

    Lajmi për Gazetën Online Reporteri.net u konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
    Ai ka thënë se dyshohet se grabitja ka ndodhur nga tre persona.

    “Rreth orës 21:20 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një market në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga tre persona.” tha Borovci.

    Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!