Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i është përgjigjur Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, pasi ky akuzoi SHBA-të se po nxisin shkëmbimin e territoreve.
Grenell ka theksuar edhe një herë se kjo temë e tij nuk është diskutuar asnjëherë në praninë e tij.
“Nuk ka pasur absolutisht fjalë për shkëmbim territoresh prej meje – dhe nuk është diskutuar prej askujt tjetër në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, ka shkruar ai në Twitter.
Kujtojmë se sot gjatë ditës Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pasur një bisedë me gazetarët boshnjakë të ‘Sarajevo Calling’ ku ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së SHBA’së, në veçanti Ambasadorit Richard Grenell, për të cilin thotë se po dëshiron të përfundojë marrëveshjen ‘që e ndan Kosovën’, vetëm që t’ia mundësojë Donald Trump edhe një fitore, shkruan Metro.
Kështu ka bërë të ditur Jasmin Mujanovic, i cili konfirmoi se Kryeministri në detyrë i Kosovës i ka thënë se sapo filloi punën, ka pasur presion të madh nga ambasadori Grenell.
Kurti për televizonin boshnjak ‘Sarajevo Calling’ ka thënë se Grenellit po i intereson vetëm nënshkrimi në fund të marrëveshjes, jo përmbajtja e saj.
“Kurti sugjeron se Grenell ka qenë shumë agresiv për të kryer marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, kështu që ai të dërgonte një fitore tek Trump në vitin zgjedhor, dhe përkundër ish Presidentëve të tjerë si Klinton, Bush dhe Obama, donte të përfundonte marrëveshjen pa përfshirje ushtarake.”, citohet të ketë thënë Kryeministri në detyrë i Kosovës.