Gruaja kërkon llogari nga spitali privat, ia dërguan qelizat në QKUK

Një paciente e spitalit privat “Bahçeci”, vitin e kaluar së bashku me bashkëshortin e saj, kishin vendosur t’i japin qelizat e tyre, në përpjekje për të pasur fëmijë.


Më 2016-n, çifti që ka dashur të mbetet anonim, është bërë me një vajzë, dhe spitali “Bahçeçi” i kishte pyetur nëse dëshironin të ruanin qelizat e tyre për fëmijë të tjerë.

Pasi kishin vendosur që t’i ruanin ato, çifti kishte paguar për çdo vit nga 150 euro, raporton KTV.

Këtë muaj pacientja e “Bahçecisë” kishte vendosur që me qelizat e ruajtura, të nisë trajtimin për lindjen e fëmijës së dytë.

Mirëpo, kjo dëshirë iu ndërpre meqë materiali i tyre u transferua në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me vendim të Inspektoratit Shëndetësor dhe nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Zonja që ka dashur të mbesë anonime, thotë se as spitali e askush tjetër nuk e kishte njoftuar se çfarë ka ndodhur, dhe kështu shteti ia ka prishur planifikimin familjar.

Ajo thotë se do të ankohet në çdo instancë dhe kërkon llogari për këtë veprim, pasi thotë se nuk e di në çfarë gjendje janë qelizat në QKUK, të cilave kohëzgjatja e ruajtjes u skadon në vitin 2020, pas ruajtjes për 5 vjet.

Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë, e ka konfirmuar se tanket me material të ngrirë, janë transferuar në QKUK, meqë “Bahçeci”, nuk e ka respektuar Ligjin për Shëndetin Riprodhues edhe Udhëzimin Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor.

“Inspektorati shëndetësor ka konstatuar gjatë inspektimit se institucioni në fjalë nuk ka respektuar Ligjin për Shëndetin Riprodhues edhe Udhëzimin Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor, prandaj me qëllim të ruajtjes së materialeve të ngrira, pas ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë së FAM në këtë spital, ka ndërmarrë veprimin e dërgimit të materialeve të ngrira në një vend ku ato do të kenë mbikëqyrje nga profesionisti shëndetësor i fushës. Ky është një vendim në favor edhe të pacientëve”.

I pyetur se a ka të drejtë Inspektorati që t’i dërgojë në një institucion tjetër materialet e ngrira pa pëlqimin e pacientëve, në përgjigje thuhet se kjo është bërë pikërisht për t’i dhënë prioritet pacientit dhe interesit të tij.

“Inspektorati Shëndetësor vepron konform Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor dhe ligjeve te tjera te sektorit. Në këtë rast, edhe konform Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Udhëzimit Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor duke i dhënë prioritet pacientit dhe interesit të tij”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë.

QKUK-ja, nuk ka treguar nëse ka kushte të mjaftueshme për ruajtjen e atyre tankeve me material të ngrirë.

Shkurt, në një përgjigje me shkrim, thuhet se QKUK-ja, është institucion shëndetësor që bashkëpunon me institucione tjera siç janë Prokuroria, Policia e Kosovës, Inspektorati Shëndetësor ndaj dhe i ka pranuar embrionet nga një spital privat.

Spitali privat “Bahçeci”, nuk është u përgjigjur pyetjeve të televizionit, se a lejohet që pa lejen e pacientit, materialet e ngrira t’i kalojnë një institucioni tjetër.