Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi, sot përmes një statusi në Facebook ka sulmuar presidentin Thaçi dhe në të njejtën kohë edhe zyrtarët e LDK’së siç ka thënë ai që s’po dalin kundër tij.
Abazi madje ka thënë se është e tmerrshme kur shikon heshtjen e deputetëve të LDK’së të cilëve i janë vrarë prindërit pas luftës.
LDK sipas tij është duke ia mbajtur zhagun presidentit Thaçi.
“Fjalori i papërgjegjshëm, kërcënues dhe aspak presidencial e bën edhe më jokushtetues se ç’është. Nga fjalimet se nuk do t’i prisnim me çaj protestuesit deri tek veprimet e nëndheshme, duke interferuar me deputetët dhe vullnetin e tyre, sidomos të atyre që përfaqësojnë pakicat për të mos votuar qeverinë Kurti”, ka deklaruar ai, duke shtuar se LDK’ja po ia mban ‘zhagun’ Thacit, duke përjashtuar anëtarët e saj.
Zëvendësi i Kurtit duke parë se LDK tashmë nuk është partner i VV’së, është munduar të prekë në pikën më të dobët, pra te familjarët zyrtarëve të vrarë të LDK’së pas luftës, duke i ftuar ata që të mos qëndrojnë të heshtur.
“Është e tmerrshme të mendohet që LDK i mban “zhagun” Thaçit, përderisa përjashton të vetët . Është edhe më e tmerrshme kur përjeton heshtjen e atyre që kanë prindërit e vrarë në periudhën e pasluftës dhe vetem për fushatë i përdorin, sikur të ishin vetëm poster reklame që përdhoset sapo të përfundojë fushata. Kaq jonjerëzor e pakurrizor të bën etja për pushteti”, tha Abazi.
Kjo deklaratë e zëvendëkryeministrit në detyrë vjen një ditë pasi që presidenti e ka quajtur Vetëvendosjen, ndërmarrje kriminale. /Reporteri.net