×
  • Lajme
  • Lajme

    VV me spot kundër opozitës, reagon zëdhënësja e LDK-së: Stisje dhe propagandë e pushtetit

    Reporteri
    25 Shtator 2022 | 15:31

    Në një video të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, thuhet se opozita po krijon zhurmë për çdo të arritur, siç thonë ata, në një vit e gjysmë qeverisje të tyre.

    “Asnjë alternativë prej opozitës dhe vetëm zhurmë karshi qeverisjes tonë progresiste”, thuhet në videon e publikuar nga VV.

    Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se në kohën kur vendi po kalon kriza të shumëfishta, pushteti po gjen kohë për të krijuar spote duke sulmuar opozitën, me tendencën për të manipuluar publikun, por siç thotë Halimi një gjë e tillë “nuk mund t’i zhbëjë faktet reale”.

    “Kur gjithë rrugëtimin politik e mbështet mbi propagandë, këtë të fundit e sheh si zgjidhje për gjithçka, edhe atëherë kur mundësia për të udhëhequr me vendin është në avantazh në mbi 50 %. Në një kohë kur vendi po kalon kriza të shumëfishta, partia në pushtet gjen kohë për të krijuar ‘spote’, me anë të të cilave sulmon opozitën, në tendencën e radhës për të manipuluar publikun. Mirëpo, asnjë nga këto stisje imagjinare nuk mund t’i zhbëjë faktet reale”, tha Halimi.

    Zëdhënsja Halimi thotë se LDK me kohë ka kërkuar nga Qeveria të marrë masa për t’u përgatitur për krizën energjetike, derisa thotë se i kanë ofruar edhe ide për të përballuar inflacionin, por që të gjitha këto janë injoruar nga pushtetarët.

    “LDK me kohë i ka kërkuar pushtetit që të marrë masa, për t’u përgaditur për krizën energjetike, duke përfshirë remontin me kohë të blloqeve ekzistuese të KEK-ut, ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, sigurimin e kontratave afatgjate për furnizim gjatë dimrit, si dhe stimulimin e investimeve në energji alternative.
    Është poashtu e ditur se LDK që nga marsi i këtij viti, i ka ofruar pushtetit ide dhe zgjidhje për t’i bërë ballë inflacionit – siç janë reduktimi i akcizës dhe TVSh-së në produkte bazike dhe në derivate. Të gjitha këto propozime të mirëstudiuara, janë injoruar dhe hedhur poshtë me përbuzje nga pushtetarët”, thotë Halimi për Reporteri.net.

    Ajo tutje shton se edhe për grevën, LDk ka kërkuar që të ketë dialog social, por që nga pushteti ka ndodhur vetëm rritja e numrit të problemit dhe vështirësive që po përjetojnë qytetarët.

    “Edhe në krizën aktuale – atë në arsim – kemi kërkuar dialog social, të cilin pushteti, si përherë, e shndërroi në arrogancë dhe linçim ndaj mësimdhënësve. Prandaj, nuk ka videomontazh që mund të bind qytetarët se ‘kemi rritje të pashembullt ekonomike’. Në realitet ka ndodhur veç një rritje, ajo e numrit të problemeve dhe vështirësive që po i përjetojnë qytetarët tanë, në përditshmërinë e tyre, nga paaftësia dhe papërgjegjësia e qeverisë”, përfundoi Halimi për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!