×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje nga takimi

    Hamza vizitë në Paris, zhvillon takime me zyrtarë të lartë

    Reporteri
    17 Tetor 2024 | 12:56

    Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Paris, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë nga kabineti i Presidentit Macron dhe Ministria e Jashtme e Francës.

    Kjo u bë e ditur nga vetë Hamza përmes një postimi në “X”, teksa ka shkruar se gjatë takimeve atje ka theksuar rëndësinë jetike për Republikën e Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen historike të Francës në proceset integruese euroatlantike.

    “Kam pasur takime të mira me zyrtarë në Paris dhe theksova rëndësinë jetike për Republikën e Kosovës, mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të Francës në proceset integruese euroatlantike. Kam vënë në dukje shumë fusha si ekonomia, mbrojtja etj. ku mund të forcohet ky bashkëpunim”, thuhet në postimin e plotë të Hamzës.

    Hamza më tutje ka falënderuar nikoqirët e takimit duke postuar: “Falënderoj z. Bertrand Buchwalter, këshilltar i Presidentit Emanuel Macron për Europen kontinentale dhe Turqinë, Ambasadorin René Troccaz, të deleguarin special për Ballkanin Perëndimor, znj. Marguerite Costa de Beauregard, drejtoreshë për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, për angazhimin e tyre për progresin në Ballkan dhe Kosovë.”

    Kujtojmë se kjo vizitë e paparalajmëruar është e dyta që Bedri Hamza bën në kryeqytetet e shteteve te Quint-it, pas një vizite në gusht në SHBA, ku u prit në Shtëpinë e Bardhë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!