Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, i njohur si ‘Procesi i Berlinit’ i nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, sot në mëngjes janë takuar kryeministrat e rajonit.
Kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur për takimin, duke thënë se ky është një bashkëbisedim në mes të kryeministrave të rajonit, para fillimit të sesionit plenar të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Poznan.
Ajo që bie në sy nga fotografia e postuar nga Haradinaj, në takim nuk shihet të jetë prezente kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.
Në këtë samit dyditor, sot pritet të ketë takime të shumta në të mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre nga vendet e BE-së që marrin pjesë në nismën ‘Procesi i Berlinit’.
Në këtë samit, Maqedonia e Veriut ka marrë lavde të shumta duke u thënë se është nxënësja shembullor e rajonit, prandaj edhe vitin e ardhshëm ajo do të jetë organizatore e samitit të shtatë, së bashku me Bullgarinë. Dy shtetet do të kenë rastin të dëshmojnë më së miri në praktikë, atë që mbështet procesi i Berlinit: aftësinë bashkëpunuese mes vendeve të rajonit dhe BE-së.