Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të incizimeve ku shefa e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke u koordinuar me Milan Radoiçiqin për çështje të ndishme të Kosovës.
Në vend që të koordinohen me Amerikë e aleatë, këta bashkëpunojnë me terrorista serb, thotë Haradinaj.
“I tillë ishte koordinimi kundër UÇK-së në përfshirjen e tyre ne ligjin e pagave ku publikisht votuan kundër. I tillë ishte vendimi i qeverisë, njëherë për bllokimin e më pas për çbllokimin e hyrjes së produkteve serbe në Kosovë, pa asnjë përfitim për vendin.
Të tilla janë mashtrimet e nëpasnjëshme me të cilat Kurti dhe kasta e tij tash e katër vite i ushqen popullin me popullizëm e në anën tjetër armiqësoi vendin me aleatët kryesorë.
Vlerat tona kombëtare nuk ka qeveri e as individ që mund t’i thyej. Mobilizimi për t’i largu këta mashtrues e shërbëtorë jugosllav tashmë nuk është vetëm detyrë, por mision që kërkon gjithëmobilizim”, ka shkruar ai në Facebook.
Në audio-incizimin e publikuar sot, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin.
Biseda të tilla ishin publikuar edhe vitin e kaluar. Shefja e grupit parlamentar të VV-së nëpër emisione televizive kishte mohuar se kishte folur në telefon me Radoiçiqin. Por asnjëherë qartë. Më vonë kishte deklaruar se ka folur me Radojçiqin vetëm pasi Simiq e kishte lëshuar në “internon” telefonatën me kriminelin serb gjatë takimit që kishte me Kusari-Lilën.
”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiq-it ta thërret Radoiçiqin. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, ishte arsyetuar Kusari-Lila në një deklaratë për Klan Kosova më 10 korrik 2023. /Reporteri.net/