Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “po mashtron qytetarët”, dhe se, siç është shprehur ai, “i është kthyer mashtrimeve elektorale”, përcjell Reporteri.net.
“Kurti u kthehet mashtrimeve elektorale! Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”, shkroi Haradinaj mbrëmjen e së martës në Facebook.
Haradinaj akuzoi Kurtin se po i mashtron qytetarët kur flet për ekonominë, subvencionet, etj.
“Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar”, shkruan tutje Haradinaj.
“Fjalët e bukura se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë. Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve!”, përfundon Haradinaj.