Kreu i AAK-së, njëherit kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, sot është deklaruar rreth situatës aktuale politike në vend dhe për raportet e Kosovës me Amerikën.
Ai kërkoi që mos të luhet me ndryshim të kufijve, pasi kjo sipas tij, është shumë e rrezikshme, teksa tha se në Kosovë nuk mund të funksionojë një shtet brenda shtetit, duke aluduar në themelimin e asociacionit të komunave serbe.
Ai poashtu ka folur për raportet e tij me ndërkombëtarët, duke thënë se edhe pse është raportuar për raportet e këqija, ai herën tjetër që do të shkojë në SHBA, do të sjellë njohjen.
“ Kanë me ju thanë që tash Ramushi nuk i ka puntë mirë me të huajt edhe po ju tregoj saktë e shkurt. Qysh ju thoshin nuk i japin vizë, por u bë një herë me shku e erdha me Ushtri. Kur të shkojë herën tjetër vi me njohjen se s’po më bjen me shku se një nga një shumë punë, e po më duhet me i kry do punë të mëdhaja se Ushtria është themel i njohjes, por kur të shkoj herën tjetër vi me njohje. Deri sa të bëhet për njohje, rrimë kështu nga pak si gjysmë të hidhëruar, por kur vjen vakti me shku vi me njohje dhe ju siguroj për këtë”, tha Haradinaj në Gjilan.
Ndërsa duke folur për dialogun me Serbinë tha se nuk duhet të flitet për tërësinë territoriale dhe se kjo duhet t’i bëhet e qartë një herë e mirë Serbisë.