Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të sotëm në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Haradinaj e ka cilësuar vendimin për dënimin e drejtuesve të UÇK-së si të papranueshëm dhe të padrejtë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë çlirimtare.

“Shqiptarë kudo që ndodheni, vendimi i sotëm me dënim për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK bëri luftë të drejtë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj.

Reklamë

Ai ka bërë thirrje që beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë.

“Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë. Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës, por për UÇK-në”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë që të mos dëmtojnë pronën apo jetën e njerëzve pas vendimit.

“Ju ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tanë, nëse shkatërrojmë Kosovën në çfarëdo mënyre. Ju ndihmojmë armiqve”, ka thënë ai.

Në fund, Haradinaj ka shprehur bindjen se beteja për drejtësi do të vazhdojë në instancën e dytë.

Reklamë

“Do t’i mundim armiqtë në shkallën e dytë”, ka përfunduar Haradinaj.