×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj për ujdinë e Ohrit: Kosovës i është hapur rruga për në NATO

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 18:25
    Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

    Lideri opozitar, Ramush Haradinaj, konsideron se ujdia me Serbinë në Ohër nuk është fitore absolute e Kosovës.

    Sipas Haradinajt, Kosova nuk e ka marrë njohjen bilaterale nga Serbia, por megjithatë e ka fituar njohjen de-facto, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Nuk e kemi marrë njohjen bilaterale me Serbinë, por nuk na është kërkuar ndonjë kompensim i ri jashtë kushtetutës apo ligjeve të vendit. Nuk jemi fitues absolut pasi na duhet edhe njohja bilaterale. E kemi njohjen de fakto nga Serbia, derisa kemi njohjen edhe de-jure në planin ndërkombëtarë pasi kemi ndarje nga Serbia përjetësisht dhe kemi agjendën evropiane dhe euroatlantike”, ka deklaruar Haradinaj në RTV Dukagjini.

    Duke komentuar nenin 7 të marrëveshjes ku flitet për vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, Haradinaj tha se nuk sheh rrezik të madh nga kjo.

    “Vetëmenaxhimi edhe sot mund të ekzistojë në kuadër të qeverisjes komunale në Shtërpcë, Graçanicë apo diku tjetër. Edhe ajo është vetmenaxhim pasi ata vemenaxhojnë me përgjegjësitë komunale që kanë në komunë, mirëpo nuk shoh rreziqe tjera”.

    Haradinaj shtoi se AAK e ka kundërshtuar Asociacionin vetëm deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    “Gjykata e ka kornizuar se si do të jetë Asociacioni. Ne pas asaj dite nuk kemi kundërshtuar pasi kemi thënë se Asociacioni duhet të bëhet sipas vendimit të Gjykatës. Të dalësh kundër vendimit të Gjykatës është sikurse të dalësh kundër vendit tënd”, deklaroi Haradinaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!