Rasti i vdekjes së një të riu 27-vjeçar në Lipjan, i cili ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, po vazhdon të ngjallë reagime të forta në opinion dhe në radhët e politikës.
Derisa hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, përflitet se shkak i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë ngufatja, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i cili ka ndarë një reagim të shkurtër dhe të ashpër pas shikimit të pamjeve nga momenti i ndërhyrjes policore.
“I pashë pamjet e fundit! E paskeni vrarë me gjakftohtësi djalin 27-vjeçar. S’kam koment,” ka shkruar Haradinaj.
Pesë zyrtarë policorë të përfshirë në këtë rast janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, bashkë me Prokurorinë, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur në detaje shkaqet e vdekjes së të riut.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në publik dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.