Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies nga “Reporterët pa Kufij”, duke u renditur e 75-ta nga 56-ta sa ishte vjet.
Haradinaj ka thënë se mbetet shqetësuese qasja e eksponentëve të pushtetit ndaj mediave me sulmet e orkestruara, që siç thotë Haradinaj me tendencën për kontroll ndaj tyre.
“Sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave!Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias.
Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare. Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë!”, ka shkruar Haradinaj.
Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga “Reporterët pa Kufij” , vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta. /Reporteri.net/