Kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga qytetarët ndihmë financiare për partinë e tij.
Ai ka publikuar një llogari bankare përmes së cilës ka kërkuar që të ndihmohet AAK-ja.
“Dua të shpreh falëndërimin dhe mirënjohjen time për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, për punën, angazhimin dhe vizionin tonë për Kosovën. Pa këtë mbështetje do ta kishim të vështirë funksionimin tonë, në përputhje me objektivat dhe sfidat që i kemi si Parti e si Shtet. Praktikat e vendeve demokratike, por edhe baza ligjore e Kosovës, e parasheh edhe mbështetjen financiare për parti politike, e cila njëkohësisht përcakton edhe limitin prej 2 mijë eurosh brenda një viti kalendarik, për personat fizik dhe 10 mijë për personat juridik. Për të gjithë ju që e konsideroni dhe keni vullnet për mbështetje financiare për AAK-në, atë mund ta bëni vetëm përmes llogarisë bankare të AAK-së. E vlerësojmë çdo ndihmë, sado modeste të jetë.”, ka shkruar Haradinaj miqësisht.
Deklarata “mu kanë lodhë mashqit”, është thënë nga Ramush Haradinaj gjatë kohë së VLAN.
Këtë deklaratë e kishte zbuluar kryeministri aktual Albin Kurti, i cili në atë kohë ishte në bashkëpunim me Haradinajn.
Kurti kishte kujtuar kohën kur ka bashkëpunuar me disa nga partitë opozitare, ku tha se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i kishte thënë se po e rrënon VLAN-in për shkak se “mu kanë lodhë mashqit”.
“Le të mos harrojmë që ne njihemi kaherë. Unë e mbajë mend mirë edhe bashkëpunimin tonë. Bashkëpunimi i parë ka qenë në kohën e VLAN-it. Ka qenë vjeshta e vitit 2014. Në atë bashkëpunim në kuadër të VLAN-it, kolapsoi bashkëpunimi sepse deputeti Haradinaj dhe ish-kryetari i LDK-së po bënin gara se kush po shkonte përpara me PDK-në edhe u prish VLAN-i. E mbajë mend mirë takimin me Haradinajn kur i kam thënë ‘Pse po shkon me PDK-në, pse po na e rrënon VLAN-in’. Se harrojë kurrë përgjigjen e tij. Përgjigja e tij ka qenë kjo ‘mu kanë lodhë mashqit”, kishte thënë ai.