Haxhi Avdyli thotë se Isa Mustafa shumë shpejt do të largohet nga LDK-ja

Ish-deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli thotë se kriza politike që mbizotëroi në vend gjatë vitit 2020 mban emrin e Isa Mustafës.


Avdyli, i cili është pjesë e listës së Vjosa Osmanit e që garojnë me Lëvizjen Vetëvendosje, thotë për KosovaPress se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është përgjegjës edhe për situatën e krijuar në LDK, e që rezultoi me largimin e tij, të Vjosa Osmanit dhe disa personaliteteve të tjera nga kjo parti.

Zgjedhjet e 14 shkurtit për Avdylin janë pikëkthesa e madhe edhe për vet LDK-në, pasi siç thotë ai, do të vuloset rënia e Isa Mustafës.

Avdyli shprehet i bindur se në këto zgjedhje do të sigurojnë 60 deputetë dhe rrjedhimisht edhe postin e presidentit dhe atë të kryeministrit.

“Nëse gjatë vitit 2020 kriza ka emër, atëherë ky emër është Isa Mustafa. Ky politikan i karrierës, i cili vjen nga një karrierë e gjatë politike, që nga vitet 80-ta e deri më tani, në të shumtën e rasteve ka gabuar, duke filluar edhe nga e kaluara, duke vendosur vija të kuqe e duke i shkelur ato me dy këmbë, vijat e kuqe me PDK-në. Atij nuk i besohet sa herë që thotë diçka sepse e ka dëshmuar në të kaluarën se është i papërgjegjshëm me deklaratat e tij, por është shumë i zoti në manipulimet me njerëz dhe pazaret e ndryshme politike, mbi interesat personale dhe grupore. Dëshira e tij e fundit ka qenë që të jetë president, por kjo nuk do t’i plotësohet sepse ai nuk e ka besimin qytetar, nuk e ka guximin që të del dhe të matet”, tha ai.

Sipas tij, LDK-ja nuk mund të kthehet në frymën “rugoviane” pa largimin e Isa Mustafës nga kjo parti, për çka shprehet i bindur se do të ndodh së shpejti.

“LDK-ja pas zgjedhjeve e ka shansin që të këndellet, pa Isa Mustafën dhe pa bashkëmendimtarët e tij. […] Ne tani jemi në mes të një procesi zgjedhor, ne tani e kemi vetëm pikën e zgjedhjeve, fitoren sa më të madhe të zgjedhjeve. Dhe, mendoj se kjo fitore do të jetë lajm i mirë edhe për LDK-në sepse rënia e Isa Mustafës varet edhe nga këto zgjedhje, sepse ky njeri e meriton që të shkojë në pensionimin e tij të vonshëm politik dhe mendoj se me ikjen e Isa Mustafës, LDK-ja do të arrijë të konsolidohet dhe të jetë një akter i mirë në skenën politike dhe t’i kthehet vlerave të saj burimore, rugoviane”, potencon ai.

Nga takimet me qytetarë që subjektet politike po zhvillojnë, Avdyli thotë se dëshmojnë më së miri vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

Duke u bazuar te atmosfera që thotë se po e has në teren, Avdyli beson se do të arrijnë të sigurojnë mbi 60 deputetë dhe se Vjosa Osmani e Albin Kurti do të jenë në pozitat për të cilat garojnë.

“Ne besojmë që vullneti i qytetarëve do të shkojë deri në fund dhe besojmë në një fitore plebishitare dhe me një votim të tillë, siç po e hasim edhe në teren, një rikthim kaq të madh të qytetarëve ndaj një ndryshimi potencial në Kosovë, neve na jep shpresë që ky besim do të përkthehet në votë, e cila do të krijojë premisa për zgjedhje të presidentit. Ne tani në këto zgjedhje nuk jemi duke u futur vetëm për qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit, i cili mandat u.d. i përfundon në maj të këtij viti. Mendoj që verdikti qytetar më 14 shkurt, numri i madh i votave që do të jap mbi 60 deputetë, bashkë me pakicat dhe me deputetë të vullnetit të mirë të partive të tjera, ne do të arrijmë të kemi prezencën e 80 deputetëve në sallë dhe 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentes të re, e cila do të jetë Vjosa Osmani dhe kryeministër Albin Kurti”, shprehet ai.

Avdyli shprehet i bindur se së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje do të bëjnë më të mirën për të sjellë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët. Shëndetësia, arsimi dhe ambienti janë tri fushat në të cilat zotohet se do të jap kontributin e tij maksimal, meqenëse janë edhe prioritete e tij për mandatin e tretë me radhë si deputet, të cilin synon ta marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit.