Haxhiu i PDK-së: Mbyllja e Qeverisë Kurti do të na falimentojë

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja të propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Nga e mërkura do të rikthehet ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç rasteve të emergjencave shëndetësore.


Lokaleve të gastronomisë do t’iu lejohet të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “shërbim me porosi” dhe “drive thru”.

Vitia në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u miratuan masat e reja anti-Covid, ka thënë se është duke përgatitur një pako financiare për të iu dalë në ndihmë kategorive të nevojshme pas masave të reja.

Por masat e reja të marra nga qeveria Kurti, deputeti opozitar, Bekim Haxhiu, para vendosjes se masave të reja kufizuese Albin Kurti dhe Arben Vitia do të duhej t’iu kërkonin falje të gjithë qytetarëve, pasi ishin nga të parët që organizuan tubime në pandemi dhe me pas të gjitha partitë politike e politikanët pa përjashtim.

I pyetur lidhur me premtimin e ministrit Vitia se do të përkrahen bizneset, ai ka thënë se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë.

“Nuk kanë filluar ende ta implemntojnë pakon që është në Kuvend, e lëre ndonjë pako të re që t’i ndihmojnë qytetarët. Ta zbatojnë pakon që është në fuqi një herë”, thotë Haxhiu për Reporteri.net.

Ai thotë se mbyllja është rrezik që të falimentojnë biznese të reja.

“Mbyllja nuk konvenon, është rrezik për falimentim. Mbyllja ju jep mundësi që të keqpërdorën, sikur bën në mandatin e kaluar”, tha Haxhiu.

Ndryshe, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mbështetur vendimin e Qeverisë Kosovës, derisa bënë thirrje për respektimin e këtyre masave.

“Ne mbështesim vendimin e qeverisë për të sjellë masa të reja për të zvogëluar përhapjen e Covid-19. Mjerisht, mbi 500 njerëz në Kosovë kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i vitit 2021. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të respektojnë masat për të mbrojtur njëri-tjetrin. #BashkeKunderCovid19”, ka thënë përmes një njoftimi Ambasada e Britanisë së Madhe. /Reporteri.net/.