Haxhiu: Latifi ka qenë vetëm emër, s’e ka pyetur askush asgjë në Ministri të Shëndetësisë

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, në një shkrim të gjatë, ka shprehur mendimin e tij mbi udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë nga Rifat Latifi gjatë kohës sa ai ishte në pozitë si dhe dorëheqjen e këtij të fundit nga pozita e Ministrit.

Sipas Haxhiut, Latifi, në Ministri të Shëndetësisë, ka qenë vetëm emër dhe se askush nuk e ka pyetur për gjë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

“Që nga ardhja e tij në krye të shëndetësisë, z. Latifi ka qenë vetëm emër, ngase askush asgjë nuk e ka pyetur në MSH. Grupet e interesit, klienteliste, nepotiste, politike e partiake të LVV-së kanë udhëhequr dhe po udhëheqin me shëndetësinë e Kosovës.”

Latifi e ka humbur pozitën e tij si ministër, thotë Haxhiu, pas emërimit të Albin Kurtit kryetar të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

Krejt në fund, Haxhiu ka listuar edhe disa pika për të cilat ai kërkon se dikush duhet të jap përgjegjësi. /Reporteri.net/.

Postimi i plotë:

Rifat Latifi sot e kuptoj se askush nuk e pyetë asgjë për shëndetësi!

Që nga ardhja e tij në krye të shëndetësisë, z. Latifi ka qenë vetëm emër, ngase askush asgjë nuk e ka pyetur në MSH. Grupet e interesit, klienteliste, nepotiste, politike e partiake të LVV-së kanë udhëhequr dhe po udhëheqin me shëndetësinë e Kosovës.

Që kur Albin Kurti e ka emëruar vehten kryetar të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, z. Latifi as formalisht nuk ka qenë më ministër i shëndetësisë, dhe këtë duket se përfundimisht sot e kuptoj ai.

Kjo u shpërfaq sot, kur në takim me Kryetaren e FSSHK, znj.Tevide Imeri, z. Latifi është zotuar për rishqyrtimin e urdhëresave të ud. drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçit përmes të cilave diskriminohen infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor në SHSKUK.

Duket se kjo ujdi me Federaten Sindikale të Shëndetësisë nuk i ka pëlqyer Albin Kurtit duke e kundërshtuar Rifat Latifin, i cili ka dhënë dorëheqje.

Tani kush duhet të jap llogari për:

Rritjen e listave të pritjes për pacientë për procedurat diagnostikuese dhe operacione?

A ka llogaridhënje për gjetjet e auditorit për ShSKUK për vitin 2021, ku janë evidentuar keqpërdorime të shumta, shembull, në 61 raste në vlerë 7.8 milion € mungonte raporti i pranimit të mallit.

Në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë €, urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit dhe faturës!

Abuzime e keqpërdorime në furnizime mjekësore, furnizim me ushqim dhe keqpërdorime tjera, e deri në procedurat e prokurimit për transport të kufomave për “Shërbime funerali COVID -19”.