U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të enjten në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues.
Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj dhe, siç thuhet në njoftim, të qytetarëve të Kosovës lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë Haxhiu.
Në takim, ajo ka kërkuar gjithashtu që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 14 dhjetor 2022, ndërsa ka kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të von der Leyen në këtë proces.
Haxhiu dhe von der Leyen kanë diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe agjendën e reformave.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka deklaruar Haxhiu.