×
  • Lajme
  • Lajme / Drejtësia

    Haxhiu thotë se ka probleme në sistemin e drejtësisë: Gjykatat të mos marrin vendime në bazë të presioneve

    Reporteri
    27 Shkurt 2024 | 21:33
    Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë. Foto nga arkivi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Qeveria e Kosovës, për herët të parë e ka prioritetizuar adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përfshirë këtu edhe femicidin.

    “Në të kaluarën, nëse shohim programet e qeverive të kaluara, por jo vetëm programet, por edhe veprimet që i ka ndërmarrë në vazhdimësi, nuk është që kanë folur ndonjëherë ose kanë vepruar në raport me adresimin e dhunës në familje, por duke qenë të shqetësuar me rritjen e rasteve të dhunës në familje, sikurse edhe rastet e vrasjeve të grave, ne kemi konsideruar që është shumë e rëndësishme që Qeveria ta merr përgjegjësinë në raport me mbrojtjen dhe veprimeve konkrete për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të grave. Në këtë drejtim, deri tani prej momentit kur ne kemi marrë detyrën, pra në mars tri vite bëhen, ne kemi adresu të gjitha përgjegjësitë në raport me çështjen e adresimit domethënë dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, tha Haxhiu në Context të ATV.

    Ajo tha se si Qeveri, kanë miratuar shumë dokumente, shumë strategji, të cilat kanë për qëllim që të shtyejnë institucionet për veprime konkrete në raport me përgjegjësitë që kanë.

    “Kemi miratuar shumë dokumente, shumë strategji, të cilat kanë për qëllim që të shtyejnë institucionet e Republikës së Kosovës për veprime konkrete në raport me përgjegjësitë që kanë, sikurse të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit, po ashtu edhe Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, qendrave për punë sociale, strehimoreve, sepse konsiderojmë që pa një bashkëshëndim të të gjitha institucioneve është pothuajse e pamundshme që të arrijmë që të mbrojmë jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Ne kemi konsideruar si Qeveri që dhuna në familje nuk është çështje private, nuk mund të mbetet e izoluar brenda mureve të shtëpisë, prandaj duhet ta marrim përgjegjësi në raport me veprimet konkrete, siç i kemi adresuar në vazhdimësi”, tha Haxhiu.

    Sipas saj, është hera e parë që Qeveria e Kosovës adreson politikat kundër dhunës në baza gjinore, të cilat nuk kanë ekzistuar më përpara.

    “Është hera e parë që Qeveria e Kosovës adreson si me thënë politikat të cilat nuk kanë ekzistuar më përpara, për shembull, përveç strategjisë për mbrojtje nga dhuna në familje që parasheh rekomandime konkrete për institucionet dhe konsideroj që jemi në rrugë të mbarë për zbatimin e saj, kemi adresuar edhe ndryshime në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që ndërlidhen me aktgjykime në rastet kur dikush pra shpallet fajtor për dhunë familje dhe dhunë seksuale, ka edhe dënime plotësuese për të njëjtit, duke i pamundësuar që të punësoheni në institucionet publike, për një kohë të caktuar varësisht si e vlerëson gjykata, sikurse edhe hetim e gjykim në kohë reale të rasteve të dhunës në familje, por edhe dhunën seksuale”, tha Haxhiu.

    Ajo thotë se përkundër këtyre veprimeve, ka ende shumë punë për t’u bërë në sistemin e drejtësisë.

    “Kemi ofruar ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës, kompensim të viktimave të dhunës, kemi miratuar protokoll shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, kurrikulën për rehabilitimin e dhunuesve, sepse duhet të orientohemi edhe te rehabilitimi i dhunuesve, sikurse edhe masën për punësimin e vajzave dhe grave viktima dhune, sepse konsiderohet që shumica dërmuese e atyre që raportojnë dhunën janë të papunësuara, rrjedhimisht ka mundësi që të durojnë dhunën, sepse nuk kanë kah t’ia mbajmë. Por është evidente që edhe përkundër këtyre veprimeve kemi ende shumë punë për të bërë”, shtoi Haxhiu.

    Albulena Haxhiu, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit që rasti i vrasjes së Marigona Osmanit të kthehet në rigjykim, tha se veprime të tilla të sistemit të drejtësisë shtyjnë edhe të tjerët të kryejnë veprime të tilla.

    “Nesër është paralajmëruar protesta për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit, që e kthen në rigjykim rastin e vrasjes mizore të Marigona Osmanit, që konsideroj se, që nga koha e pasluftës, ka pasur vrasje në Kosovë, mirëpo kjo konsiderohet që është më e rënda, për shkak të mënyrës se si është kryer vrasja e të ndjerës. Prandaj, kthimin në rigjykim i rastit tillë, sigurisht që unë do të sërish do të kritikohem që po komentoj vendime të gjykatës që po ndërhyj në drejtësi, por e kam thënë dhe e përsëris sërish, sa herë kemi vendime të tilla të gjykatave, unë do ta ngris zërin, sepse konsideroj që është tepër e rëndësishme që edhe si qytetare e këtij vendi, edhe si nënë, si grua, si ministre e Drejtësisë po ashtu, të adresoj padrejtësitë që bëhen nga vetë sistemi dhe kam përshtypjen që veprimet e tilla nga sistemi i drejtësisë konsideroj që i shtyn të tjerët që të bëjnë veprime kriminale, sepse kur të ledhaton sistemi me vendime të tilla, atëherë natyrisht që kjo është shtytje për edhe për të tjerët, por edhe për personat që për momentin mbahen në masën e paraburgimit”, tha Haxhiu.

    Në anën tjetër, ajo tha se është e papranueshme se si gjykatat së pari marrin vendime në bazë të presionit.

    “Pavarësisht që ka reagime qytetare, duhet të gjitha rrethanat të sqarohen dhe secili si me thënë argumentim i gjykatës pat të jetë i bazuar”, tha Haxhiu.

    Ajo thotë se probleme ka shumë në sistemin e drejtësisë, por se ato duhet të adresohen dhe përgjegjësinë e bartë sistemi i drejtësisë.

    “Kemi raste të shumta, por ka qenë edhe së fundi një prej rasteve kur dikush është dënu me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme e liron komplet nga përgjegjësia penale. Pra, këtu probleme ka shumë. Ky problem duhet të adresohet dhe këtu përgjegjësinë e bartë vetë sistemi i drejtësisë”, tha Haxhiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!