×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu: Vettingu parasheh ndryshime kushtetuese, synojmë kthimin e besimit të qytetarëve

    Reporteri
    20 Prill 2021 | 13:52

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Sundimi i ligjit në Kosovë, cilat janë prioritetet e qeverisë së re?”.


    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se beson se deri të premten do të finalizohet programi qeverisës.

    Ajo ka thënë se kanë trashëguar një situatë jo të mirë, duke shtuar se janë duke u përballur me sfida.

    Haxhiu tutje ka shtuar se gjatë kësaj kohe janë marrë edhe me vettingun, duke shtuar se stafi civil ka punuar në një dokument lidhur me këtë proces.

    “Qeveria jonë përballet me shumë sfida por jam e bindur që të gjitha sfidat do të mund të adresohen me vullnetin që e kemi. Padyshim që sfidat nuk mund të adresohen vetëm nga qeveria por kjo do të bëhet edhe me shoqërinë civile e mediat për t’i jetësuar prioritetet e që janë shumë. Dua t’i përmend disa prioritete. Ne duhet ta përmbyllim procesin e zgjatur të rishikimit funksional të sundimit të ligjit. Ky proces ka nisur para 3 viteve dhe tash është në proces të përfundimit. Prioritet i dytë dhe shumë sfidues do të jetë procesi i vettingut. Në opinion është dukur që ne si ministri gjatë këtij muaji nuk jemi marrë me këtë çështje. Por gjatë kësaj kohe stafi civil ka punuar në një dokument për vettingun. Ky dokument ka pasur për qëllim një çështje me atë se vettingu a duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese apo me ndryshime ligjore. Për këtë na duhen edhe mendime nga shoqëria civile. Nëse e them mendimin tim dhe të Qeverisë më i fuqishëm do të ishte me ndryshime kushtetuese por rezervat janë vështirësia e kalimit të amandamenteve në Kuvendin e Kosovës duke ditur që duhen 2/3”, ka thënë ajo.

    Ajo tutje ka shtuar se qëllimi si MD është që të premten nëse arrijnë t’i kenë emrat e disa përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve të drejtësisë të krijojnë grupin punues.

    “Synojmë që përmes këtij procesi ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Nuk ka më dilemë a duhet të ketë vetting kjo është tejkaluar tashmë kjo është kërkesë imediate. Sfidën më të madhe Ministrisë së Drejtësisë e shoh këtë. Procesi qëllimi është të nis pas disa ditëve nuk kemi plan kohor se kur mund të përfundojë por është mirë të nisim me një konceptdokument. Ne si e shohim aktualisht është që procesi i vettingut të nis nga një mekanizëm i jashtëm. Përmes këtij mekanizmi të jashtëm të bëhet verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mekanizimi i jashtëm i verifikimit e pastaj ai i brendshëm sepse dikush mund ta kalojë vettingun sot por nesër mund të përfshihet në ndonjë skandal apo korrupsion dhe duhet verifikim”, ka thënë ajo.

    Ajo ka thënë se kanë bërë një konceptdokument për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme mandatin e kaluar por për shkak të rrëzimit të qeverisë nuk kanë mundur ta shtyjnë përpara.

    “Tash me të marë detyrën e kemi rishikuar në disa elemente dhe e kemi proceduar në Qeveri. Ka pasur tendencë për t’i frikësuar qytetarët kjo nuk qëndron. Ka pasur zëra që ky koncept-dokument bie ndesh me kushtetutën e direktivat e Bashkimit Evropian dhe këto nuk qëndrojnë, është mirë që ata që japin këso konstatime ta lexojnë konceptdokumentin. Ideja është që barra e provës të vendoset tek personi që dyshohet. Nëse ka dyshime personat përgjegjës që vlerësojnë se një pasuri e personi zyrtar është në shpërpushje me të ardhura patjetër duhet të kërkohet llogaria për ato të ardhura dhe nëse nuk justifikohet atëherë agjencia nuk merret me konfiskimin por kjo çështje do t’i takojë gjykatës”, ka thënë ajo.

    Haxhiu tutje ka shtuar se ajo që është prioritet tjetër është adresimi i krimeve të luftës.

    Ajo ka thënë se në Prokurorinë Speciale janë vetëm 4 prokurorë që merren me krimet e luftës.

    “Krimet e luftës janë të ndjeshme të adresohen nga një numër kaq i vogël i prokurorëve. Tjetër prioritet por jo më pak i rëndësishëm është adresimi i dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Kam hall të madh për rastet që neglizhohen nga Policia, Prokuroria dhe Gjykatat. Është e papranueshme që dikush që bart petkun e policit, prokurorit e gjykatësit një rast të dhunës së familjes ta trajtojë si çështje private, kjo është çështje institucionale”, ka thënë ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!