Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit të 42-të për konstituimin e Kuvendit, ka theksuar se partia e saj ka treguar vullnet për bashkëpunim dhe ka bërë lëshime, por përkundër kësaj, është e pamundur që Kuvendi të konstituohet vetëm me votat e Vetëvendosjes.
“Ne kemi reflektuar, kemi bërë kompromise, por ka qenë e pamundur që vetëm VV-ja ta konstituojë Kuvendin,” tha Haxhiu.
Ajo iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky vendim njeh legjitimitetin e votimit të fshehtë si një procedurë që nuk bie ndesh me Kushtetutën.
Haxhiu tha se emri i saj do të kalojë vetëm një herë në votim të fshehtë dhe do të tërhiqet në rast se nuk i merr 61 vota.
“Ne kemi reflektuar, kemi bërë kompromise por ka qenë e pamundur që vetëm VV-ja ta konstituojë Kuvendin. Aktgjykimi i Kushtetueses ka theksuar që kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët janë njësoj. Ky aktgjykim ka thënë që votimi i fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës. Kjo është konfirmuar. Unë kam thënë që emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë, nuk mund të ketë votim të dytë. Unë do të tërhiqem nëse nuk i marr 61 vota. Për sa kohë kemi bërë lëvizje, ata vetëm po vendosin pengesa barrikada. Në fillim kanë thënë jo Albulena, tani i kanë shtuar të gjithë ministrat. Ka mundësi që të mobilizohen dhe ta rrëzojnë votimin e fshehtë. Mendoj se është e rëndësishme që Komisioni të rrëzohet dhe të vazhdojmë”, tha Haxhiu para mediave. /Reporteri.net/