Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në prag të seancës së nesërme ku do të dëgjohen dëshmitarët.
Haziri ka thënë që debatet e zhvilluara lidhen me pakënaqësinë ndaj fillimit të gjykimit teksa reagoi edhe ndaj përmendjes së LDK-së në disa raste duke thënë që nuk ka parë emra të LDK-së që do të dëshmojnë.
“Kjo zhurmë politike dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së. LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë”, shkroi Haziri, përcjell Reporteri.net.
“Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët”, tha tutje ai.
I dyti i LDK-së përmendi se kjo është hera e tretë e përballjes së Kosovës me të kaluarën e saj, për të vendosur drejtësi.
Më 3 prill ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa nesër, më 11 prill, në Gjykatën Speciale do të paraqiten provat nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve./Reporteri.net/.
Postimi i plotë: