“Hidrodrini” nuk ka laborator të akredituar për analiza të cilësisë së ujit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” nuk posedon laborator të akredituar për të kontrolluar cilësinë e ujit të pijes, ndërsa trajtimi i vetëm i ujit nga kjo kompani është përmes klorit.


Këto i ka bërë të ditura drejtori i Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hodrodrini”, Agron Tigani, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ku të ftuar kanë qenë të gjithë kryeshefat e KRU-ve regjionale ku është diskutuar për perfonamcën e tyre, si dhe drejtoresha e ARRU-së Hajrije Morina.

Tigani bëri të ditur se si kompani e posedojnë laboratorin, por që i njëjti nuk është akredituar nga institucionet e Kosovës. Ai potencoi se aktualisht bërjen e të gjitha analizave për regjionin që mbulon “Hidrodrini” e ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili tha se bënë mesatarisht 230-240 mostra gjatë një muaji.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ai ka prezantuar edhe të gjitha masat që kanë ndërmarrë pas njoftimit se një numër i madh i qytetarëve janë dyshuar se janë helmuar nga uji i pijes në qytetin e Deçanit.

“Hidrodrini ka laboratorë, por nuk e ka të akredituar, Hidrodrini ka pasur qysh prej fillimit laboratorë ku merren mostrat për nevoja tona, në qoftë se kemi plasaritje të gypit, i marrim mostrat këqyrim mos kemi ndonjë kontaminim. Për që nuk jemi të akredituar jemi në procesin e tenderimit për akreditim, pajisjet të gjitha për akreditim laboratorike janë blerë dhe janë në laboratorë, por ne presim akreditimin…Ujin e trajtojmë vetëm me klor, me klor e klorinojmë, ka raste kur kualiteti i ujit në burim është super i mirë edhe në rrejt edhe pa klor, por klori është si preventivë që mos me pas ndonjë farë ndotje apo kontaminimi, është si preventivë klori”, tha ai.

Ai tha se aktualisht autonominë për bërjen e mostrave e ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili tha se bënë mesatarisht 230-240 mostra gjatë muajit.

Drejtoresha e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Hajrije Morina, tha se vetëm “KRU Prishtina”, “Gjakova” dhe së fundi edhe “KRU Prizreni” kanë laboratorët e akredituar.

“Sa i përket akreditimit të laboratorëve të ndërmarrjeve të ujësjellësit, në këtë fushë vetëm ujësjellësi Prishtinë dhe i Gjakovës janë të akredituar, kam informata që edhe Prizreni së voni e ka akredituar, këto tjerat janë në proces të akreditimit. Mirëpo, edhe të akredituarat jam shumë e vetëdijshme që stafi në ndërmarrjet e ujësjellësit ka nevojë shumë për trajnime dhe janë të etur për trajnime në mënyrën se si duhet të bëhen ato analiza në mënyrë profesionale. Në këtë drejtim ka shumë punë për t’u bërë, megjithatë kanë nevojë të gjitha kompanitë kanë nevojë me u trajnua qysh duhet me u bë ato analiza”, u shpreh ajo.